WADA, sulme për Rusinë e “dopuar”, Putin “humb” Lojërat

25/07/2016 00:00

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi të mos e përjashtojë Rusinë nga Lojërat Olimpike, por kjo nuk i ka pëlqyer shumë delegacioneve pjesëmarrëse, e aq më pak Agjencisë Botërore Antidoping.

WADA kishte kërkuar me forcë implementimin e një shembulli konkret sesi ndëshkohen mashtruesit në sport, e sidomos kur kjo garantohet nga shteti e nga shërbimet sekrete, ndërsa si për ironi të fatit, ministrit rus të sporteve nuk iu lejua akreditimi në Rio de Zhaneiro.

Prej kësaj, dhe të gjithë zhurmës që krijuan dhjetëra rastet e atletëve mashtrues të Rusisë, presidenti Vladimir Ptin nuk do të jetë në stadiumin Maracana për ceremoninë e hapjes në 5 gusht. Por, fakt mbetet që Agjencia Antidoping e akuzon zyrtarin e Kremlinit si koordinuesin e sistemit të dopingut të organizuar nga shteti, së bashku me ish efektivë të KGB.

Janë kërkuar ndërkohë emrat e atletëve të përfshirë në raportin inkriminues të profesorit McLaren, që publikisht nuk janë bërë të ditur.

Federata e qitjes ka pezulluar 3 sportistë të cilët kishin zhdukur provat ndërsa tashmë fjala do ti kalojë gjykatave, apeleve dhe seancave të pafundme gjyqësore. procesi i dopingut dhe Rusia në bankën e të akuzuarve, janë vetëm në fillesat e tyre.

Top Channel