Leonardo apo Bielsa, Inter mendon pasuesin e Mancini-t

25/07/2016 00:00

E fundit në sagën e Roberto Mancinit te Inter është braktisja e stërvitjes së radhës së zikaltërve në tokën amerikane me arsyen e lodhjes së madhe.

Por, ajo çfarë qëndron prapa lodhjes së vërtetë të trajnerit të ekipit italian është zhgënjimi për një merkato që nuk u ngrit asnjëherë deri më tani në pritshmëritë e teknikut.

Lamtumira është e afërt dhe mund të formalizohet brenda kësaj jave e ndërkohë drejtuesit zikaltër po sondojnë alternativat për të mos u gjetur të papërgatitur në startin e sezonit.

5 vjet më parë Masimo Morati prezantonte brazilianin Leonardo si trajnerin e ri të Inter, e këto sekuenca mund të rishihen shpesh në spondin zikaltër të Milanos.

Ish-mesfushori i njohur tashmë 46 vjeç, ka lënë një kujtim të bukur te tifozët të shënjuar me vendin e dytë në Serinë A dhe kupën e Italisë. Pas një viti Leonardo mund të marrë rol drejtuesi për ti lënë vendin ëndrrës më të madhe, argjentinasit Diego Simeone.

Por, një tjetër kandidat është edhe Marselo Bielsa. I pagëzuar me emrin “i çmenduri”, tekniku shpërthyes përmbysi gjithçka në tratativat me Lacion këtë muaj, por po joshet nga ideja për një ekip me nivel si Inter. “El Loko” u kontaktua në 2011 nga Inter, por asokohe ai kishte dhënë premtimin te Bilbao. Tashmë ai përfaqëson një hipotezë tërheqëse, edhe pse karakteri i tij imponon blerje dhe një projekt serioz te zikaltërit.

Top Channel