Gjermani, kamikazi simpatizonte ISIS

25/07/2016 00:00

Siriani që hodhi veten në erë në Ansbach të Gjermanisë i kishte premtuar besnikëri Shtetit Islamik.

Këtë tregon një video e gjetur në celularin e tij, ku 27-vjeçari Mohammad Daleel zotohej për sulme në vendin ku kishte hyrë përpara dy vjetësh e ku vitin që kaloi, i që mohuar e drejta për azil. Për shkak të situatës se trazuar në vendin e tij të lindjes, i riu pat siguruar lejen e përkohshme të qëndrimit “Duldung”, por së fundi i ishte komunikuar se duhet të kthehej në Bullgari.

“Në telefonin e autorit ka një video, e cila përmban kërcënime në arabisht për një sulm si akt hakmarrjeje kundër gjermanëve me pretekstin se qëndrojnë në rrugën e Islamit. Nga ana tjetër cilësohet dhe si veprim shpagues ndaj vrasjes së myslimanëve. Në emër të Allahut, agresori zotohet për besnikëri ndaj liderit famëkeq të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi”, shprehet Joachim Herrmann, ministër i Brendshëm, Bavari.

Ministri tha më tej se Gjermania duhet të përgatitet për mundësinë e sulmeve të tjera.

“Të gjithë e ndiejnë se jemi në një situatë kur sulme si ato të Brukselit nuk mund të përjashtohen as në Gjermani, qofshin ato në Bavari, në Vestfali apo Berlin. Duhet të jemi të mirëpërgatitur për situata të tilla”, tha Herrmann.

Siriani vrau veten dhe plagosi 12 persona të tjerë duke shpërthyer një bombë në afërsi të vendit ku mbahej një festival muzikor në qytetin e Ansbach-ut.

Lëndën plasëse në çantën e shpinës, ai e kishte aktivizuar pasi iu refuzuar hyrja në festivalin që zhvillohej në një ambient të hapur, në pjesën jugore të qytetit. Ky është sulmi i tretë brenda javës në Bavari. Të premten, Mynihu u trondit nga të shtënat në qendrën tregtare “Olimpia”, ku humbën jetën 9 vetë, e përpara kësaj, një i ri afgan plagosi me sëpatë disa persona në një tren të Vuerzburgut.

Top Channel