Veliaj: Rikthyem Tiranën në punë

25/07/2016 00:00

Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak përkoi me 1 vit qeverisje nga Erion Veliaj të kryeqytetit. Ai u shpreh se, ndryshimi më i madh është bërë në pastrimin e Tiranës, si edhe janë dyfishuar investimet në shkolla, çerdhe dhe hapësira të gjelbërta.

Veliaj premtoi më shumë për vitin e dytë të mandatit, një nga premtimet është themelimi i një kompanie publike të transportit publik.

“Po mendojmë edhe për themelimin e një kompanie publike të Bashkisë së Tiranës, në fushën e transportit publik, që ashtu siç po i sfidojmë operatorët privatë me një kompani publike të Bashkisë që do të fillojë muajin tjetër dhe ndërmarrjen tonë të pastrimit, ashtu do të konsiderojmë edhe fillimin e punës me një ndërmarrje publike të transportit, për t’u siguruar që nuk merremi peng nga privatë që nuk dinë të menaxhojnë interesin publik që u është besuar, ashtu siç na ndodhi në fillim të këtij viti”, u shpreh Veliaj.

Këshilli Bashkiak miratoi disa vendime mes të cilave ai për detajimin e buxhetit të bashkisë për këtë vit. Veliaj tha se ky është një buxhet për qytetarët.

“Për herë të parë kemi një buxhet me pjesëmarrje të komunitetit. Jo se është një detyrim ligjor, por një dëshirë e mirë e jona për të përfshirë komunitetin në një vendimmarrje kaq të rëndësishme, për të vendosur bashkë rrugët, lulishtet, këndet e lodrave, kopshtet, shkollat, çerdhet apo ujësjellësit”, vijoi Veliaj.

Por këshilltarët e djathtë e braktisën mbledhjen duke deklaruar se këtë buxhet duhet ta rishikonin së bashku të gjithë këshilltarët.

“Ta sjellë dhe ta vejë në dispozicion sa më parë tek Këshilli Bashkiak se si paketa fiskale, si buxheti, si plani i përgjithshëm vendor, janë detyrime për konsultim i këtij këshilli, vetëm atëherë quhet e ezauruar nga pikëpamja ligjore konsulta me qytetarë dhe grupet e interesit “, deklaroi Olli.

Top Channel