SHBA, vala përvëluese e të nxehtit shkakton 6 viktima

25/07/2016 00:00

Një valë përvëluese e nxehti është përplasur mbi rajonet qëndrore e lindore të Shteteve të Bashkuara, ku janë shënuar 6 viktima, mes të cilëve dhe një fëmijë 12 vjeç.

Temperaturat në rezervatin e Phoenix, ku Cody Flom po bënte një udhëtim në këmbë në shoqërinë e një të afërmi, kapërcenin 40 gradë Celsius. Djali pësoi atak kardiak. 5 viktimat e tjerë ishin të moshuar që ndërruan jetë nga sëmundje të rënduara ndjeshëm prej vapës mbytëse.

Në të gjitha zonat e ekspozuara ndaj kësaj fashe të nxehti, termometri pritet të shënojë mbi 37 gradë. Paralajmërimet e autoriteteve nga afshi përvëlues prekin gati 114 milionë vetë në 27 shtete, i tha CNN-it meteorologu Sean Morris.

Temperaturat e larta po ushqejnë dhe zjarret në Kaliforni, ku ekipet e zjarrfikësve po luftojnë të ndalin hovin e flakëve të shpërndara në një sipërfaqe toke prej gati 9.000 hektarësh. 18 banesa janë shkrumbuar deri tani prej tyre, në veri të Los Angelesit, e qindra të tjera janë në rrezik.

Një trup i pajetë është gjetur në një makinë të djegur, por nuk dihet ende nëse kjo vdekje është pasojë e zjarreve në zonë. Erërat e forta kanë shërbyer si erashkë për flakët, e kanë ngritur mbi Los Angeles shtëllunga tymi e hiri.

Zjarret, siç thonë autoritetet lokale, janë përhapur me një shpejtësi marramendëse dhe në disa drejtime të ndryshme. Ato shpërthyen të premten në zonën e Sand Canyon, në kohën kur e gjithë Kalifornia Jugore po përballet, si edhe pjesë të tjera të vendit, me një valë të nxehti ekstrem.

Top Channel