Reforma në drejtësi, Berisha bën bilancin në Parlament: Fituan shqiptarët

25/07/2016 00:00

Tre ditë pas miratimit të reformës, Parlamenti u mblodh sërish dhe këtë të hënë, klima në seancën plenare ishte më e qetë.

Megjithëse në rendin e ditës ishin të tjera çështje, ish-Kryeministri Sali Berisha e shfrytëzoi fjalën e vet për të bërë një bilanc nga foltorja, ku vlerësoi tre vendime të Partisë Demokratike.

“Janë tre vendime përcaktuese të këtij suksesi të Partisë Demokratike, suksesi të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Së pari, vendimi për të marrë pjesë në proces, së dyti, vendimi për të paraqitur si kusht të vetëm për këtë pjesëmarrje pranimin nga palët të Komisionit të Venecias. PD zgjodhi arbitrin më të mirë të kohërave, PD imponoi kushtin e saj edhe falë mbështetjes së disa institucioneve të vendit si dhe komunitetit ndërkombëtar. Edi Rama e pranoi kushtin de jure, por e refuzoi atë de facto. Së treti mbrojtja dhe imponimi me çdo çmim  i rekomandimeve të Venecias si vija të kuqe të vërteta dhe jo si ato të Edi Ramës”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se nga miratimi i kësaj reforme fituan të gjithë shqiptarët, por vlerësoi se konsensusi i gjetur ishte i imponuar, jo konsensus vullneti dhe për këtë akuzoi sërish Kryeministrin Edi Rama.

Top Channel