Vlora priti edicionin e katërt të “Gala Italia 2016”, një aktivitet që tashmë është kthyer në një traditë. I organizuar nga Konsullata e Përgjithshme italiane në Vlorë, “Gala Italia 2016” i është dedikuar ekselencave të reja italiane në botën e modës dhe muzikës.

Këtë vit, kjo ekselencë e modës italiane u përfaqësua nga “Shtëpia e Modës Romane” e Luigi Borbone, e cila ka paraqitur krijimet e saj në pasarelat e Parisit dhe Milanos, e që ndodhet në qendër të Romës në sheshin “Augusto Imperatore”.

Krijimet e Luigi Borbones, arkitekt dhe stilist, dalin jashtë kornizave të formave të thjeshta gjeometrike. Siluetat minimaliste dhe arkitektonike, fluide, të qëndrueshme dhe intriguese përhapen nëpërmjet detajeve funksionale, duke i bërë në këtë mënyrë krijimet eklektike dhe të pasura.

Përsa i përket pjesës muzikore, performoi drejtpërsëdrejti këngëtarja Chiara Dello Lacovo, e cila në festivalin e fundit të San Remos arriti një sukses të jashtëzakonshëm nga ana e kritikës dhe publikut.

Kantautorja, aktualisht e angazhuar në një turne veror me 16 etapa në Itali, e pranoi me entuziazëm ftesën për të performuar para publikut shqiptar. Përkrah saj ishte edhe kantautori i ri nga Toscana, Andrea Maestrelli, i cili ka publikuar së fundmi punën e tij për sezonin e verës të titulluar “Agosto”.

Pjesëmarrja e shtëpisë së Luigi Borbones në “Gala Italia 2016”, ashtu sikundër ajo e shtëpisë “Giada Curti” vitin e kaluar, është fryt i bashkëpunimit të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë me “AltaRoma”, organizatoren më të rëndësishme të evenimenteve të modës në kryeqytetin e Italisë.

Top Channel