Ferrari, Arrivabene mohon zërat për largimin e Vettel dhe Allison

25/07/2016 00:00

Ky sezon i Ferrarit nuk është aspak pozitiv dhe kjo u pa edhe në Çmimin e Madh të Hungarisë. Së fundmi, rreth “kokëkuqes” italiane janë shtuar zërat për ndryshime të mëdha në skuadër, ku përfshihen largimet e mundshme të Sebastian Vettel dhe James Allison.

Për Sebastian Vettel u mendua për një kalim të mundshëm te Mercedesi në vitin 2018, madje sipas shefit të Red Bull, Kristian Horner, 4 herë kampioni i botës e dëshiron me forcë një lëvizje të tillë.

Megjithatë, ai që mendon të shuajë këto zëra është drejtuesi i Ferrarit, Maurizio Arrivabene, i cili ka folur gjatë Çmimit të Madh të Hungarisë.

“Sebastian Vettel nuk e ka thënë kurrë që nuk i pëlqen atmosfera te Ferrari. Përkundrazi, në shumë raste ai ka pohuar se ndihet shumë komod në skuadër. Pak muaj më parë, gazetarët i bënë të njëjtën pyetje Kimi Raikkonen. Më pas më erdhi radha mua, kur u fol se do të zëvendësohesha nga James Allison. Tani që u zyrtarizua kontrata me Raikkonen po flasin për largimin e Allison. Ju kërkoj që të na lini të punojmë të qetë”, ishte deklarata e Arrivabenes.

Më pas, Arrivabene mohoi se morali te Ferrari është në pikën më të ulët. Ai shtoi se të gjithë pjesëtarët e skuadrës janë të bashkuar dhe se askush nuk dorëzohet.

Top Channel