Spastrimi në Turqi prek tashmë edhe gazetarët. 42 urdhërarreste

25/07/2016 00:00

Pas ushtarakëve, pjesëtarëve të drejtësisë dhe arsimtarëve, tashmë u ka ardhur radha gazetarëve. Autoritetet turke kanë lëshuar urdhërarreste për 42 gazetarë, bëjnë të ditur mediet lokale, si pjesë e një hetimi ndaj grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik.

Komentatori i njohur Nazli Ilicak thuhet të jetë në këtë listë. Ankaraja zyrtare nuk i ka komentuar edhe publikisht arsyet e këtyre urdhërarresteve.

Deri më tani, autoritetet vendase të diktuara nga Presidenti Tayyip Erdogan kanë burgosur apo vënë nën hetim me mijëra ushtarë, gjykatës dhe shërbyes civilë.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan është angazhuar për një spastrim të thellë të administratës shtetërore nga “virusi”, siç e quan ai, që shkaktoi revoltën e pak ditëve më parë.

Qeveria turke akuzon klerikun Fethullah Gulen se fshihet pas përpjekjes për grusht shteti, veprim që u udhëhoq nga një pjesë e ushtrisë. Megjithatë, Gulen, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, ka mohuar me forcë përfshirjen e tij si dhe e dënoi përpjekjen për grusht shteti.

Në një tjetër zhvillim të kësaj të hëne, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker paralajmëroi se negociatat për anëtarësimin e mundshëm të Turqisë në BE duhen pezulluar urgjentisht, nëse Ankaraja do të vijojë më tej me propozimin për të rikthyer dënimin me vdekje.

Top Channel