Publikimi i “e-mail”-eve, “trazohet” kampi demokrat në SHBA

25/07/2016 00:00

Kryetarja e Partisë Demokrate në Shtetet e Bashkuara, Debbie Wasserman Schultz vendosi të japë dorëheqjen pak përpara çeljes së Kuvendit të partisë së saj, ku Hillary Clinton do të marrë zyrtarisht emërimin e kandidates presidenciale në zgjedhjet e nëntorit.

Schulz, drejtuese e Komitetit Kombëtar Demokrat, hoqi dorë nga posti mes zemërimit që kanë shkaktuar “e-mail”-et e bëra publike nga “WikiLeaks”, të cilat tregojnë talljet e udhëheqësve të partisë me fushatën e Bernie Sandersit.

Avancimi i tij ishte një sfidë e papritur për krahun e Clintonit. “WikiLeaks” publikoi më 22 korrik rreth 20 mijë “e-mail”-e të krerëve demokratë, ku tregohej se persona brenda forcës politike ishin përpjekur ta devijonin fushatën e rivalit të ish-Sekretares së Shtetit. Vet Sanders e bëri të qartë mendimin e tij se Schultz nuk duhet ta mbante më atë detyrë.

“Ajo nuk duhet të jetë kryetare e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe këto ‘e-mail’-e e përforcojnë edhe më shumë arsyen përse duhet të largohet”, tha Bernie Sanders, senator i Vermontit.

Ndërkohë, një grup pune i Partisë Demokrate që po shqyrton rregullat e partisë, ka votuar kundër heqjes së sistemit të superdelegatëve, të kërkuar nga mbështetësit e ish-kandidatit Bernie Sanders.

Roli i superdelegatëve ishte tema kryesore e diskutimit në mbledhjen e Komisionit të Rregullave, të mbajtur të shtunën. Hillary Clinton ka mbështetjen e 602 të tillëve, ndërsa vetëm 48 prej tyre i premtonin mbështetje rivalit të saj demokrat.

Top Channel