Një arbitër anglez për ndeshjen Partizani-Salzburg

24/07/2016 00:00

Partizani do të ndeshet këtë të martë ndaj kampionëve të Austrisë, Salzburgut në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e vlefshme për fazën e eliminatore të Champions League. Mësohet se arbitër në këtë sfidë do të jetë anglezi 31-vjeçar Michael Oliver, ndërsa ndihmës të tij do të jenë anglezët Stuart Burt e Adam Nunn.

Oliver është një arbitër i ri, por ai ka arritur t’i ngjisë me shpejtësi shkallët e karrierës ku numëron shumë ndeshje në arenën ndërkombëtare. Ai drejton ndeshje në Premier League që prej vitit 2010, ndërsa në FIFA është regjistruar gjatë vitit 2012.

Takimi i fundit i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare si arbitër kryesor ishte ai mes Galatasaray dhe Lazios në 1/8-at e Europa League, ndeshje që u mbyll në barazim 1-1, ndërsa më parë nuk ka drejtuar asnjë ndeshje të klubeve shqiptare.

Gjithsesi, një lidhje me Shqipërinë, Oliver e ka pasi ai ishte gjyqtari i katërt në sfidën e Euro 2016 mes Francës dhe kuqezinjve ku skuadra e Deschamps fitoi me rezultatin 2-0.

Top Channel