Policët kërkojnë përfitimet, kryetari i sindikatës: Duhen edhe 14 akte nënligjore

24/07/2016 00:00

Mungesa prej një viti e gjysmë e nxjerrjes së 14 akteve normative të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, u ka mohuar të drejtat dhe përfitimet që i takojnë 11 mijë efektivëve të uniformave blu në të gjithë vendin.

Për situatën e krijuar, Sindikata e Policisë ka ndërmarrë disa nisma ligjore duke depozituar padi kundër Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, madje ka vënë në dijeni me anë të një letre edhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

“Janë 14 vendime qeverie që kanë bërë nul ligjin për Policinë Shtetit. Duhet të merrnin një vakt ushqim, të cilin duhet ta kishin marrë që më 1 mars 2015 se e kanë me ligj, por qeveria nuk ka marrë vendimin. Punonjësit e policisë që kanë rënë në krye të detyrës duhet të kishin marrë strehim falas, por nuk ka dalë vendimi. Qeveria duhet të kishte nxjerrë fondi ku duhet edhe ta kishte realizuar kontratat e sigurimit që me 1 mars. As kryeministri, as ministri, asnjë pjesëtar tjetër qeveria nuk mund të dalë dhe të thotë që i kemi trajtuar punonjësit e policisë”, shprehet Sadetin Fishta, kreu i Sindikatës së Policisë.

Për ngërçin e krijuar sindikata ka dorëzuar padi edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel