Beteja për Kalanë e Lezhës, MK: Nuk tërhiqemi

24/07/2016 00:00

Pas gati dy vitesh në dyert e gjykatave për Kalanë e Lezhës, Ministria e Kulturës duket se e humbi betejën e saj ligjore për të mos lejuar subjektin privat të vërë në jetë projektin e 4 viteve më parë, që parashikonte ndërhyrje në kala.

Por kjo histori nuk do të mbyllet këtu. Sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës, në një intervistë për Top Channel sqaron se beteja për drejtësi do të vijojë.

“Ministria e Kulturës do të vazhdojë të ndjekë të gjitha hapat ligjore të parashikuara në lidhje me kundërshtimin e vendimeve të Gjykatës së Apelit, duke iu drejtuar Gjykatës së Lartë e po të jetë e nevojshme edhe Gjykatës Kushtetuese apo dhe më larg. Ne do të ndjekim gjithashtu hapat ligjorë edhe për të gjetur përgjegjësitë apo papërgjegjësitë e atyre funksionarëve të gjyqësorit, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi profesionale”, tha Elira Kokona, sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës.

Por çfarë ka ndodhur përgjatë këtyre viteve në Kalanë e Lezhës, e çfarë do të ndodhë pas dhënies së vendimit nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila i dha të drejtë subjektit privat të ndërtojë në Kalanë e Lezhës një hotel dhe një restorant?

“Ministria e Kulturës dikur nuk ka lidhur kontratë me subjektin privat, ndaj ky i fundit, ndonëse ka fituar këtë proces gjyqësor, nuk do të thotë që duhet të fillojë punimet në lidhje me realizimin e projektit të tyre. Ne mbetemi ende në pritje të vendimmarrjes së gjykatës në lidhje me vendimin e KKA-së, si dhe mbetemi gjithmonë në pritje të vendimit të Ministrisë së Kulturës për të lidhur kontratën me subjektin”, thotë më tej Kokona.

Pas kësaj, duket se Ministria e Kulturës do të jetë më e kujdesshme në kriteret për përzgjedhjen e subjekteve private, që në të ardhmen do të mund të marrin me qira apo me partneritet publik-privat këto pasuri kulturore.

“Kemi përcaktuar shumë qartë në këtë udhëzim, që histori si kjo e Lezhës, apo shembuj të privatëve që abuzojnë me vlerat e trashëgimisë kulturore të mos ndodhin më”, tha Elira Kokona.

Top Channel