Lumenjtë ndotin Divjakën, mbeturinat shkarkohen në bregdet

24/07/2016 00:00

Mbeturinat urbane që shkarkohen në gjithë gjatësinë e lumit Shkumbin dhe Seman, kanë dëmtuar rëndë plazhin e Divjakës. Në gjithë gjatësinë e këtij plazhi disa kilometra të gjatë janë të dukshme shenjat e masakrës mjedisore që burimin e ka shumë larg, por pasojat e fundit i jep në bregdet.

“Me këto plehrat është kënaqësi e madhe”, ironizon një pushues. “Duhet të ketë pastërti, por ka vetëm grumbuj plehrash. Vitin e kaluar s’ka qenë kështu”, tregon ai.

“Kam që në datën 1 që kam ardhur këtu dhe uji ka qenë jashtë mase i pisët, aq i pisët sa nuk dua të vij më këtu. Tani kanë filluar të pastrojnë, ta shohim në ditët e ardhshme”, thotë një pushuese.

“Thonë që plazhi i Divjakës është më i miri, por këtu qenka më keq se kudo tjetër”, shprehet një tjetër pushues.

“Unë jetoj jashtë shtetit dhe solla familjen këtu, por do na duhet të lëvizin drejt Vlorës. Tani kanë filluar ta pastrojnë, nuk e di çfarë politike është kjo”, thotë një tjetër.

Pastrimi i zonës së plazhit është shqetësimi kryesor edhe për bizneset sezonale, që këtë vit, ndryshe nga më parë nuk punojnë më ilegalisht.

Top Channel