Deklarata e Alibeajt, reagon Policia e Shtetit: Fakt i pavërtetë, s’ka policë të shkarkuar

24/07/2016 00:00

Menjëherë pas deklaratës për shtyp të kreut të Departamentit të Rendit e Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili akuzonte ministrin e Brendshëm Tahiri për dy standarde në dikasterin e drejtuar prej tij, ka ardhur reagimi i Policisë së Shtetit.

Sipas komunikatës për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se fakti i denoncuar prej Alibeajt, ai lidhur me shkarkimin e 7 punonjësve të policisë, është tërësisht i pavërtetë.

“Në asnjërën prej ngjarjeve të cituara në deklaratë nuk është shkarkuar asnjë punonjës policie, ndaj pretendimet dhe akuzat e bëra publike janë thjesht fakte të pavërteta.

Siç parashikon kuadri ligjor, për të dyja rastet është kryer procedura ligjore e verifikimit të përgjegjësive, procedurë standarde që ndodh sa herë që një qytetar ka ankesë për veprimet e policisë”, bën të ditur Policia e Shtetit.

Në fund të saj theksohet gjithashtu se “Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar maksimalisht ndaj detyrës dhe ligjit, për të zbatuar ligjin ndaj çdo individi”.

Top Channel