Sulm me 4 viktima në Teksas. Mes tyre një fëmijë dhe agresori

24/07/2016 00:00

Katër persona, mes të cilëve edhe një fëmijë, janë qëlluar për vdekje në një kompleks apartamentesh në Teksas të Shteteve të Bashkuara.

Policia mbërriti në vendngjarje në përgjigje të raporteve për të shtëna, por i gjeti pa jetë viktimat; një burrë, dy gra dhe një i mitur. Që të gjithë ishin vrarë me armë zjarri.

Një tjetër fëmijë i ndodhur në banesë ka mbetur i plagosur, por nuk ka rrezik për jetën. Autoritetet sqaruan se, mes të vdekurve është edhe vet agresori, por nuk dhanë detaje të tjera mbi ngjarjen dhe rrethanat e saj.

Identitetet e viktimave nuk janë bërë të ditura. Banorët e kompleksit u evakuuan për disa orë pas episodit fatkeq, e më vonë u lejuan të rikthehen në shtëpitë e tyre. Incidenti tronditi qetësinë e qytetit të vogël prej vetëm 7.500 banorësh, të ndodhur rreth 50 km larg Austin.

Top Channel