Serie A, merkato nën ritmin e milionave

24/07/2016 00:00

Vera e vitit 2016 premton të ndryshojë përgjithmonë historinë e tregut në futbollin italian, pasi nën ritmin e milionave, Serie A po fiton vëmendjen që në të kaluarën e ka pasur “La Liga” apo “Premier League”.

Me një goditje të brendshme prej thuajse 100 milionë eurosh dhe një tjetër në dalje prej më shumë se 110 milionë eurosh, duket se gjërat kanë ndryshuar në bilancet e kampionatit të Apenineve.

Nëse pagesa e klauzolës që lidh Higuain me Napolin do të zyrtarizohet nga Juventus, atëherë sulmuesi argjentinas do të bëhet më i shtrenjti ndonjëherë në Serie A. Bomberi argjentinas do të arrijë nivelin e shitjes së Cristiano Ronaldos, që në vitin 2009 braktisi Manchester United për të shkuar te Real Madrid për të njëjtat shifra.

Vendi i parë absolut në futboll është vendosur me blerjen 101 milionëshe të Gareth Bale nga “Galaktikët”, kjo duke llogaritur që transferime të tjera kanë kamufluar shifrat përmes bonuseve, si Neymar, apo për shkak të shmangies së taksave.

Por rekordi mund të thyhet brenda kësaj vere me peshën e rëndë të ofertës së Manchester United. “Djajtë e kuq” kanë kërkuar Paul Pogba për një shifër më të lartë nga 110 milionë euro.

Në Serie A, transferimi i fundit rekord u regjistrua në vitin 2000, kur asokohe Hernan Crespo kaloi nga Parma te Lacio për 110 miliardë lireta. Një vit më vonë, me paratë e fituara nga shitja e Zidane, Juventus bëri bujë me blerjen e Buffon nga Parma për 100 miliardë lireta.

Top Channel