PD, Alibeaj: Rrihet biznesmeni, asnjë reagim. Preket kunati, policët në rrugë

24/07/2016 00:00

Përmes një deklarate për mediet, kreu i Departamentit të Rendit e Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka denoncuar atë që e quan funksionim me dy standarde të Ministrisë së Brendshme të drejtuar nga Saimir Tahiri, e që është thjesht fytyra e vërtetë e qeverisë “Rama” siç vijoi ai.

“Një muaj më parë, një biznesmen në Tiranë denoncoi publikisht dhunën e ushtruar ndaj tij dhe djalit të tij nga policia në qendër të Tiranës, për shkak të një gjobe të papaguar të automjetit. Edhe pse ai dëshmoi me prova dhunën brutale tej çdo kufiri të policisë, Saimir Tahiri nuk mori asnjë masë dhe askush nuk mbajti përgjegjësi”, nisi denoncimin Enkelejd Alibeaj.

“Por nëse dikush, qoftë ky një polic, prek kunatin e Saimir Tahirit, ai flaket në rrugë dhe këtu i jepet fund karrierës së tij, siç ka ndodhur këtë fundjavë në Tiranë, kur 7 oficerë policie janë flakur në rrugë, pasi reaguan ndaj kunatit të Tahirit, për shkak të një aksioni pas sinjalizimit për praninë e një personi të armatosur”, vijon më tej Alibeaj.

“Policia nuk e dinte se kishte të bënte me kunatin e Tahirit dhe se po kalonte ‘vijën e kuqe’. Sepse Tahiri dhe kunati i tij janë përtej kësaj ‘vije të kuqe’ dhe janë të paprekshëm. Ashtu sikurse janë edhe bandat, trafikantët, rrëmbyesit dhe grabitësit, e mbi të gjithë Habilajt e drogës”, shprehet Alibeaj. “Përtej vijës së kuqe dhe të paprekshëm e shohin veten Tahiri e Rama, me përgjimet e tyre të paligjshme dhe presionin kriminal ndaj prokurorisë e gjykatës, kur nis hetimi ndaj tyre”.

E teksa e mbyll me faktin që kjo padrejtësi, bashkë me burimin e saj që është qeveria, janë drejt fundit, Alibeaj shprehet:

“Dy standardet e dëshmuara haptazi nga Saimir Tahiri, ku për dhunën e ushtruar ndaj biznesmenit nuk është marrë asnjë masë, madje pas denoncimit publik vijon përndjekja ndaj tij dhe aktivitetit të tij, ndërsa nga ana tjetër, për një reagim ndaj kunatit të Tahirit hidhen në rrugë 7 policë, këto dy lloj standardesh janë fytyra e vërtetë e qeverisë, e kësaj oligarkie që po sundon prej 3 vitesh”.

Top Channel