Frikë në Mynih, njerëzit ende të tronditur nga skenat e dhunës

23/07/2016 00:00

Tronditje, frikë dhe indinjatë; këto janë ndjenjat që mbizotërojnë mes banorëve të Mynihut pas sulmit në qendrën tregtare që shkaktoi 9 të vdekur. Episodi i dhunës ishte vërtet i papritur për qytetin e qetë gjerman.

“Jam i shokuar. Nuk kam përjetuar asnjëherë më parë diçka të tillë dhe nuk e mendoja kurrë se mund të ndodhte në Mynih”, shprehet Johannes Zoeckler.

“Rreziku ka qenë i pranishëm prej vitesh, por unë shpresoja shumë që diçka e tillë të mos ndodhte”, thotë Olaf Buschendorf.

“E kalova natën në zyrë dje se nuk largohesha dot. Gjërat duken mirë tani, por unë sërish jam shumë e shqetësuar”, thotë Andrea Lammers.

Fqinjët e të riut thonë se ai nuk binte shumë në sy dhe më tepër i njihnin vëllain e vogël dhe të atin.

“Nuk kam dëgjuar asnjëherë prej tyre ndonjë shprehje të tipit “allahu ekber”. Kam folur me babain e tij, por asnjëherë për fe apo gjëra të ngjashme. Unë mendoj se ky veprim, bazën mund ta ketë më shumë  psikologjike”, shprehet një fqinj i vrasësit.

Sipas mediave britanike, 18-vjeçari gjermano-iranian ankohej se ishte pre e bullizmit dhe përpara se të hapte zjarr mbi njerëzit, përmes një faqeje të rreme në “Facebook”, i kishte joshur disa prej viktimave drejt vdekjes me njoftimin se McDonald’s ofronte ushqim falas.

Ata janë të gjithë të moshave nga 15 deri në 21 vjeç me përjashtimin e një gruaje 45 vjeçare. Dëshmitarë në vendngjarje rrëfejnë se të riut i janë drejtuar disa persona nga tarraca e një banese aty pranë për t’i tërhequr vëmendjen, e ai u ka thënë se është gjerman e se vjen nga një lagje e varfër e qytetit.

Top Channel