5 vjet më parë masakra që tronditi Norvegjinë

23/07/2016 00:00

Anders Behring Breivik, ekstremisti i djathtë 33-vjeçar, 22 korrikun e vitit 2011 tronditi Norvegjinë me dy atentate që vranë 8 persona në qendër të Oslos dhe 69 të tjerë në një kamp veror për të rinjtë laburistë në ishullin Utoja, rreth 30 km në perëndim të kryeqytetit.

Ai kishte planifikuar gjithçka me një kujdes të jashtëzakonshëm, kishte blerë përbërësit për të ndërtuar bombën që do të shpërthente në zemër të lagjes qeveritare, pak qindra metra nga selia e Parlamentit.

Madje, e kishte ndërtuar mjetin shpërthyes në një fermë fshati të marrë me qera 3 muaj më parë, ose 17 prillin e 5 viteve më parë.

I pari do të kishte qenë një atentat “devijimi”, që do të shërbente për të tërhequr vëmendjen e agjentëve të anti-terrorit në kryeqytetin norvegjez, pa i kushtuar vëmendje personit të veshur si polic që po udhëtonte për në Utoja, ishulli ku 650 aktivistë të rinj të partisë laburiste ishin mbledhur për takimin tradicional veror.

Bomba në Oslo shpërtheu në orën 15:26, duke vrarë 8 persona dhe plagosur shumë të tjerë. Dhe ndërsa përforcoheshin masat e sigurisë pranë objekteve të rëndësisë së veçantë dhe familja mbretërore po transportohej në një vend të sigurtë, Breivik ishte nisur për në Utoja.

Kur mbërriti atje rreth 3 orë më pas, ekstremisti fillimisht ekzekutoi të vetmin agjent të armatosur në ishull dhe më pas qëlloi me breshëri për 1 orë e gjysmë ndaj të rinjve e të rejave të pambrojtur, disa prej të cilëve përpiqeshin të fshiheshin, të tjerë të shpëtonin duke u hedhur në det dhe të tjerë që qëndronin pa lëvizur duke i kërkuar mëshirë agresorit.

Vrasësi u dorëzua pa bërë rezistencë kur mbërritën forcat policore, pasi e kishte kuptuar se nuk kishte rrugë tjetër. Gjatë procesit gjyqësor që pasoi vitet më pas, Breivik vazhdoi të provokonte shtetin dhe të përçmonte 77 viktimat. “Do të luftoj deri në vdekje për nazizmin”, tha ai duke hyrë në sallën e gjyqit, pasi kishte përshëndetur avokatët e tij në mënyrë naziste.

Por historia nuk mbaroi me kaq. Pasi u dënua me 21 vjet burg, vitin e kaluar Breivik paditi shtetin norvegjez për “kushtet çnjerëzore” në të cilat mbahej në burg. Dhe në prill 2016, gjykata i dha të drejtë duke vendosur se, autoritetet duhet ta dëmshpërblenin terroristin me 330 mijë korona norvegjeze, ose 35 mijë euro, për 5 vitet e kaluara në izolim të rreptë.

Top Channel