Sondazhi i TCH, qytetarët janë mosbesues edhe pas reformës

23/07/2016 00:00

Parlamenti në orët e para të së premtes miratoi ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, por edhe pas kalimit në Kuvend, qytetarët tregojnë një shkallë të lartë mosbesimi se në të ardhmen do të bëhet drejtësi.

Në sondazhin e kryer në faqen tonë të internetit, qytetarët janë pyetur nëse besojnë se do të bëhet drejtësi pas miratimit të reformës dhe 54 përqind e tyre janë shprehur me “Po”, ndërsa dhe 46 përqind e tyre janë skeptikë.

Një përqindje e tillë pesimizmi mund të cilësohet e lartë duke marrë parasysh faktin se sërish në lidhje me reformën në drejtësi, qytetarët në sondazhet e mëparshme të bëra nga Top Channel, janë shprehur 92 përqind pro kryerjes së reformës dhe 85 përqind pro përfshirjes së ndërkombëtarëve në procesin e vettingut.

Duket se përshtypja dhe imazhi negativ i krijuar tek qytetaret nga sistemi i drejtësisë në 25 vjet, bën që shkalla e skepticizmit tek ta të jetë e lartë për vijimin e sistemit të drejtësisë në vazhdim edhe pas miratimit të reformës në Parlament.

Top Channel