Reforma, pas Kushtetutës radha e 7 ligjeve për drejtësinë

22/07/2016 00:00

Ndryshimet kushtetuese të miratuara me votë unanime në Parlament do të hyjnë në fuqi gjatë muajit gusht, kur ligjin ta ketë firmosur presidenti dhe kur ai të jetë botuar në fletoren zyrtare.

Por edhe atëherë reforma në drejtësi nuk do të nisë efektet e veta të menjëhershme. Të paktën jo plotësisht. Organet e reja kushtetuese në gjyqësor dhe prokurori do të jenë efektivë pas disa muajsh dhe kur të miratohen ligjet përkatëse.

Kuvendi ka vendosur t’i shqyrtojë 7 ligjet e para që bëjnë efektiv reformën në muajin shtator, me nisjen e punimeve të sesionit të ri.

Siç palët janë angazhuar pas konsensusit të 21 korrikut, mazhoranca dhe opozita do të punojnë së bashku për të përmirësuar të 7 nismat që jane miratuar në komision me votën e mazhorancës.

Megjithatë janë dy organe që kanë afate kushtetuese për t’u ngritur edhe pa miratimin e këtyre ligjeve. Kushtetuta e re detyron presidentin që brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e ndryhsimeve të nisë procedurën për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kjo është një strukturë që ishte konsideruar gjithmonë nga opozita si strukturë kyçe për kapjen politike. Por pas ndryshimeve që pësoi drafti, tani Këshilli i Emërimeve jo vetëm ka ndryshuar përbërje, por tani i është reduktuar edhe numri i anëtarëve të organeve kushtetuese, ku ka ndikim me renditjen e kandidatëve.

Kushtetuta e re detyron me afat edhe nisjen e procedurave për ngritjen e strukturave që do të bëjnë vetingun. Brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, që do të thotë deri në fund të shtatorit, presidenti duhet të ketë përfunduar organizimin e procesit të aplikimit dhe hartimin e listës me kandidatët që plotësojnë kriteret.

Një proces ky që mbikëqyre nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Një strukturë me prokurorë dhe gjyqtarë të huaj, që mund të jetë e gatshme për funksionim sapo ligji të hyjë në fuqi.

Top Channel