“OEZ Munich”, një nga pikat më atraktive për turistët në Mynih

22/07/2016 00:00

“OEZ Munich” është një nga pikat atraktive që duhet vizituar me patjetër nëse shkohet në Mynih të Gjermanisë. Ajo është qendra më e madhe tregtare në kryeqytetin e Bavarisë, aktualisht mban emrin “Olympia-Einkaufszentrum” dhe është hapur për herë të parë në vitin 1972. Vendndodhja e saj, lagjja “Moosach” e Mynihut.

Përgjatë dekadave të fundit, kjo qendër tregtare është zgjeruar vazhdimisht, sikurse edhe është modernizuar. Një botë inovative e të bërit “shopping”, tashmë ajo cilësohet si një atraksion turistik, madje ndër më të njohurit në rajonin e Bavarisë.

“Olympia-Einkaufszentrum” paraqitet në dy nivele të “mbytura” nga dritat, dhe si një peizazh me shumë fytyra. Dyqanet e ndodhura atje, plot 135 të tillë, ofrojnë aktualisht veshmbajtje, asortimente “trendy”, sikurse ka edhe kafene tepër tërheqëse dhe restorante nga më luksozët, edhe nga ata me çati prej xhami, ku mund të qetësohesh më së miri pas një lodhjeje që të shkakton degëdisja nga një dyqan në tjetrin.

Aty nuk përfaqësohen vetëm marka ekskluzive dhe trendet më të fundit të modës, por thuajse gjithçka që frymëzon dhe pasuron jetën, nga aksesorët individualë, deri në produktet më të fundit të bukurisë, kozmetikës, por edhe ushqimet më të freskëta.

Në “Olympia-Einkaufszentrum” nuk është vetëm kënaqësi të shkosh për ta vizituar, për të blerë diçka që mund të ta përballojë kuleta, por edhe të qetësosh shpirtin pas një dite të lodhshme. Pavarësisht nëse preferoni mishin apo peshkun, vegjetarianë apo pastat, kuzhinën gjermane apo gatimet ekzotike të kulinarisë, zgjedhjet gastronomike në “OEZ” janë nga më të ndryshmet dhe të lënë të përjetosh një eksperiencë tepër speciale, si për të vegjëlit, ashtu edhe për të rinjtë apo të moshuarit.

Emri i kësaj qendre tregtare vjen nga ndërtimi i njëkohshëm i një ndërtese shtypi për Lojërat Olimpike të vitit 1972. Lojërat e Mynihut të vitit 1972 u errësuan nga sulmi terrorist i ndërmarrë prej palestinezëve, të cilët lanë të vdekur 11 sportistë izraelitë si dhe një polic gjerman.

Top Channel