Terror në Gjermani, të paktën 9 të vdekur nga “sulmi terrorist” në një qendër tregtare

22/07/2016 00:00

Të paktën 9 persona kanë mbetur të vrarë dhe disa të tjerë të plagosur, pas asaj që policia gjermane e ka përshkruar si “një sulm të mundshëm terrorist” në qendrën tregtare “Olympia-Einkaufszentrum”, në Mynih të Gjermanisë. Aktualisht policia është në ndjekje të agresorëve, ndërkohë që numri i viktimave është konfirmuar nga Policia e Mynihut.

Policia bavareze bëri të ditur se dëshmitarë kanë informuar përmes telefonit se kanë parë 3 agresorë të armatosur në rrugët përreth vendngjarjes, të cilët iu drejtuan fillimisht qendrës tregtare e më pas janë larguar për nga stacioni i metrosë. Ata janë ende në arrati, ndërsa ka raportime se njëri prej tyre është vetëvrarë, por asnjë konfirmim zyrtar nga policia.

Zëdhënësja e policisë, Claudia Kunzel tha se “i gjithë stafi policor” është në gatishmëri dhe po përgjigjet ndaj situatës së rëndë. Të shtënat nisën rreth orës 18 të pasdites së sotme në restorantin “McDonald” që ndodhet në qendrën tregtare. Një tjetër zëdhënës i policisë së Mynihut e ka përshkruar incidentin si “një sulm të mundshëm terrorist”, teksa fliste për një radio gjermane.

Presidenti amerikan Barack Obama ka folur shkurtimisht për ngjarjen në Gjermani, e më pas ofroi ngushëllimet e tij për viktimat e mundshëm si dhe u angazhua për mbështetje ndaj Gjermanisë, në atë që ai e përshkroi si një prej aleatëve më të afërt të Amerikës.

Ndërkohë, sipas medias lokale “Muencher Abendzeitung” bëhet fjalë për rreth 15 të vrarë në qendrën tregtare, ndërsa kanali televiziv “German NTV” bën të ditur se viktimat janë 10.

Policia tha më herët se ishin duke u përballur me një situatë “të shtënash të tërbuara”. Raportime të tjera flasin se të shtëna janë dëgjuar edhe në sheshin “Karslplatz” në qendër të Mynihut, por këto nuk janë konfirmuar ende nga policia. Të gjithë drejtuesit e taksive janë këshilluar të shmangin zonën e sheshit “Karlsplatz”. Policia beson se agresorët janë “disa”, sipas asaj që raporton “Die Welt”.

Faktin për disa viktima në qendrën tregtare është konfirmuar edhe nga policia, sipas asaj që raporton “Reuters”, por numri mbetet ende mister. Të shtënat janë dëgjuar edhe në një video të publikuar në “Twitter” nga një dëshmitar. Një agresor ka qëlluar njerëzit e ndodhur në një kafene të qendrës tregtare, por edhe në një stacion metroje, sipas “BR24”, një prej mediave gjermane që citon dëshmitarë. “Një ose disa agresorë janë ende në arrati”, bën të ditur “Die Welt”, duke cituar policinë.

Personi që kishte hyrë në qendrën tregtare ka hapur zjarr pa dallim, duke plagosur edhe disa persona. Më pas, ai është larguar nga qendra tregtare dhe është drejtuar për në stacionin e metrosë. Policia gjermane, e cila po zhvillon një operacion masiv, ka paralajmëruar njerëzit të shmangin zonat përreth qendrës tregtare dhe të qëndrojnë brenda shtëpive. “Largohuni nga rrugët”, shkruan policia në “Twitter”.

Qendra tregtare është evakuuar thuajse tërësisht. Një prani e jashtëzakonshme policore shihet në vendngjarje dhe në qendër të Mynihut. Stafi i qendrës tregtare mbeten ende e bllokuar në ndërtesë, ndërsa një punonjës i saj ka thënë për “Reuters” se shumë njerëz janë futur nëpër magazina.

Autoritetet gjermane të Transportit kanë bërë të ditur se kanë ndalur udhëtimet e disa autobusëve, trenave dhe tramvajeve. Sipas disa raportimeve të cituara nga “Die Welt”, të shtënat nisën në dyqanin “McDonald” të ndodhur në qendrën tregtare.

FOTO GALERI
1/22

Top Channel