Zv.presidentja e KE-së: Britania të mos presë bisedime jozyrtare

22/07/2016 00:00

“Britania të mos presë bisedime jozyrtare me bllokun europian, përpara se të formalizojë qëllimin e saj për largim”, deklaroi zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Kristalina Georgieva, e cila në intervistën dhënë agjencisë së lajmeve “Reuters” sqaroi se, Londrës nuk do t‘i mohohet një marrëveshje e ndershme, e cila as do ta shpërblejë, e as do ta ndëshkojë për shkëputjen.

Divorci zyrtar fillon vetëm pas aktivizimit të artikullit 50 të Traktatit të Lisbonës, çfarë nuk do të ndodhë këtë vit, siç e kanë bërë tashmë të qartë udhëheqësit britanikë, duke i dhënë kështu vendit 6 muaj kohë për të shterruar të gjitha mundësitë me Brukselin.

“Është e pamundur të negociosh, qoftë edhe jo zyrtarisht, mbi mënyrën sesi do të veprohet në vazhdim. Duhet të ketë qartësi mbi rrugën që Britania do të zgjedhë të përshkojë, e duhet të ketë qartësi edhe për institucionet anëtare dhe 27 vendet e BE-së. Ai moment do të vijë vetëm pasi negociatat të shpallen zyrtarisht”, tha Kristalina Georgieva, zv.presidente e KE-së.

Zyrtarja nga Bullgaria, që ka në ngarkim buxhetin e BE-së, këmbënguli se në të gjithë këtë situatë nuk do të ketë anësi.

“Që të jem e sinqertë, unë nuk dua të qëndrojë njeri në Bashkimin Europian, sepse ka frikë nga ndëshkimi në rast se largohet. Dua të qëndrojnë sepse brenda unionit janë më të fuqishëm, se jetojnë më mirë, se ndiejnë që vlerat e përbashkëta na kthejnë në një forcë të së mirës në botë”, tha Georgieva.

Kontributi neto i Britanisë në Bashkimin Europian ishte rreth 5 miliardë euro, duke përjashtuar këtu detyrimet doganore, por duke përfshirë fondet e përftuara nga rajonet më të varfra apo universitetet për kërkime shkencore, shumë kjo aspak e papërfillshme sipas Georgievës, por që mund të menaxhohet.

Top Channel