Në pritje të “Kabalit”

22/07/2016 00:00

Adhuruesit e yllit indian të ekranit, Rajinikanth, kanë dalë në rrugë duke i rënë tambureve, kanë hedhur fishekzjarre e disa kanë fjetur përpara dyerve të kinemave, vetëm që të prisnin aty mëngjesin për të mos humbur premierën e filmit të tij të fundit, Kabali.

Një entuziazëm të tillë do ta kishte dëshiruar çdo aktor i Hollivudit. Mania e fansave shkoi deri aty sa të mbanin flamuj e bluza me fotografinë e stampuar të Rajinikanthit. Pak të thuhet se çfarë histerie kishte brenda sallave të kinemave, ku njerëzit janë çuar edhe të kërcejnë.

“Kam ardhur që nga Assami të shoh Kabalin. Ndihem tmerrësisht mirë që jam këtu. Rajinin e quajnë shpeshherë Zotin e Indisë së Jugut dhe tani po e kuptoj më mirë përse”, tha Salil Ahmad, admirues.

Biletat e “Kabalit” janë shitur në pothuajse të gjithë vendin për ditët në vazhdim, e rezervimet e mëvonshme nuk rreshtin gjithashtu. Kërkesa e madhe i ka detyruar disa prej kinemave t’ua shtyjnë pushimet punonjësve të tyre.

Në një vend me varfëri gërryese si India, njerëzit nuk janë kursyer të blejnë biletat që shkojnë deri në 9.000 rupi apo 134 dollarë secila, në një kohë kur çmimi normal është vetëm 150 rupi, apo vetëm 2.25 dollarë.

Aq popullor është aktori në këtë vend, sa filmi që e rikthen atë në ekran pas një pushimi dyvjeçar, që përpara se të shfaqej në kinema arriti nivelin e 30 milionë dollarëve për të drejtat e shitjes. Kur përpara disa kohësh u raportua në media se Rajini kishte probleme shëndetësore, një admirues i çmendur mori një mbidozë qetësuesish e më vonë u tha mjekëve dhe familjes se ishte përpjekur t’i jepte fund jetës e t’i dhuronte aktorit veshkat e tij.

Top Channel