Sulmi i Nicës, qeveria lokale refuzon policinë për shkatërrimin e pamjeve filmike

22/07/2016 00:00

Autoritetet lokale të Nicës hodhën poshtë kërkesën e njësisë franceze të Antiterrorit për shkatërrimin e pamjeve filmike të sulmit të javës së kaluar. Argumenti i zyrës së Prokurorisë së Parisit ishte se, kërkesa është bërë me qëllimin të ruhet dinjiteti i viktimave e imazhet e tyre të mos përdoren nga xhihadistët për synime propagandistike.

Përgjigjja e zyrtarëve të qytetit bregdetar ishte depozitimi i një dokumenti ligjor, ku shpjegohet se pamjet e përftuara nga kamerat e sigurisë mund të përbëjnë prova, e si të tilla nuk preken. Është hera e parë që na kërkohet shkatërrimi i provave, i tha njëri prej tyre gazetës franceze “Le Figaro”.

Departamenti ynë dhe vet qyteti i Nicës mund të mbajnë përgjegjësi penale për këtë, ndërsa oficerët përgjegjës nuk e kanë të drejtën të angazhohen në fshirjen e materialeve filmike.

Përplasja përbën dëshminë më të fundit të mosmarrëveshjeve në rritje mes autoriteteve lokale e atyre kombëtare pas sulmit tragjik të 14 korrikut, që përgjaku festën e Ditës së Bastijës. Plot 84 vetë humbën jetën nga gjesti ekstrem i 31-vjeçarit Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, që përplasi një kamion frigoriferik mbi turmën e njerëzve të mbledhur në shëtitoren “Promenade des Anglais” për të ndjekur spektaklin e fishekzjarreve.

Qeveria franceze është përballur me një rrebesh kritikash për masat e sigurisë dhe disa raporte në media lënë të kuptohet se filmimet e kamerave të sigurisë mund të tregojnë ku kanë qenë të vendosur policët dhe sa të tillë kanë qenë në detyrë ditën e sulmit.

Pesë persona dolën përpara një gjykate të enjten, nën akuzën se kanë ndihmuar tunizianin në organizimin e goditjes. Mes tyre është dhe çifti i shqiptarëve, që dyshohet t’i ketë siguruar 31-vjeçarit pistoletën e përdorur gjatë sulmit.

Top Channel