SHBA, përkrahje pa rezerva në realizimin e objektivave të Ministrisë së Drejtësisë

22/07/2016 00:00

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka pritur këtëtë premte në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, i cili ishte i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së zëvendësambasadorit, njëherazi udhëheqës i misionit të USAID-it, James Hope.

Në këtë takim, ministrja Hoxha falënderoi ambasadorin Delawie për ndihmën, bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë ministrisë së saj dhe institucioneve të sigurisë dhe ligjit, njëherazi e siguroi Delawie për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, në veçanti në sundimin e rendit dhe ligjit.

Ministrja Hoxha shfaqi përkushtimin për promovimin e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies, si parime kyçe të qeverisjes së mirë.

“Përkrahja për gjykatat dhe gjykatësit, mbështetja institucionale, siguria dhe mbrojtja e qytetarëve, reformat në kodin penal dhe procedurën penale, si dhe mosndikimi i politikës në gjyqësor do të jenë prioritetet kyçe”, tha ministrja Hoxha.

Në kuadër të kësaj, ambasadori Delawie uroi ministren Hoxha për pozitën e re dhe shfaqi përkrahjen pa rezerva për realizimin e këtyre objektivave dhe përballimin e sfidave. Mbështetja dhe bashkëpunimi me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë çelësi kyç në bashkërendimin e punëve.

Top Channel