Si do të funksionojnë administratorët e pallateve

22/07/2016 00:00

Asnjë qytetar i cili banon në pallat të ri apo të vjetër, me qira apo pronar, nuk do të tolerohet të mos shlyej detyrimet për shërbimet si mirëmbajtja apo pastrimi.

5000 pallate apo subjekte që ndajnë bashkëpronësinë në Tiranë, brenda 1 viti do të kenë administratorë të certifikuara nga Bashkia e Tiranës me qëllim disiplinimin e bashkëjetesës në komunitet.

“Në qoftë se qytetari nuk paguan për më shumë se 3 muaj, administratori i drejtohet Gjykatës Administrative ku me një seancë gjyqësore ajo merr vendim që me masa shtrënguese të paguajë lekët. Mund të nxjerrim disa akte të tjera që ta facilitojmë duke ndërhyrë me operatorët tanë që i ofrojmë shërbimin ujësjellësit ose t’ia faturojmë në fatura”, deklaroi Admir Abrija, drejtor i njësive administrative.

Tarifa sa do të paguajnë qytetarët për të përfituar këto shërbime do të vendoset nga asambleja e pallatit e cila do të votohet nga vetë banorët.

Ndërkohë që për punime që kërkojnë fond më të madh si termoizolimi i pallatit e të tjera, administratori mund të aplikojë në bashki ku 1/3 e buxhetit e mblidhet nga banorët e pallatit, ndërsa 3/4 subvencionohet nga bashkia.

“Ekziston mundësia që shërbimin e administrimit ta ofrojë një person fizik i cili ka një gjendje gjyqësore të pa dënuar, ka arsimin e mesëm dhe mund të bëjë kërkesë pranë bashkisë që të certifikohet si administrator. Ne do të bëjmë rimbledhjen e të gjithë asambleve nga fillimi sepse kemi shumë raste ku administratori është i vet emëruar dhe merr nga qytetarët pagesa dhe shërbime të cilat nuk i kthen mbrapsht”, vijoi Abrija.
 
Bashkia e Tiranës do të luajë rolin e monitoruesit për zbatimin e ligjit të bashkëjetesës në komunitet i cili ka hyrë në fuqi që në vitin 2009, por nuk është zbatuar.

Top Channel