DIA shtyhet për në vjeshtë, nuk paraqiten dëshmitarët kundër Ismailajt

22/07/2016 00:00

Kastriot Ismailaj, ish-administrator i kompanisë DIA, i pandehuri i njërës prej dosjeve më të bujshme të historive të mashtrimit që aktualisht ndodhet nën shqyrtim në Gjykatën e Tiranës.

Ismailaj prej gati dy vitesh nën hetim gjyqësor është treguar i kujdesshëm të mos shfaqet publikisht, më së shumti duke refuzuar të jetë i pranishëm në seancat kundër tij.

Kastriot Ismailaj: Mundet ai kameramani të marrë leje te ju përpara dhe pastaj të kërkohet edhe mendimi im për praninë e tij.

Gjyqtarja: Kamerat fillimisht para se të hyjnë në sallë gjyqësore i pandehur, marrin leje nga gjyqtari i çështjes sepse tregojnë interesin dhe çështja juaj është ndjekur nga gazetarët. Kanë një afat të caktuar që do të rrinë këtu deri në momentin që gjykata do ta vlerësojë të jetë e nevojshme.

Kastriot Ismailaj: Atëherë zonja kryetare, unë largohem.

Për shkak se tre dëshmitarët e thirrur nga gjykata nuk ishin paraqitur , por edhe për shkak të pushimeve verore, gjykata e shtyu procesin ndaj Ismailajt për në vjeshtë.

Kastriot Ismailaj akuzohet të ketë përvetësuar 5 milionë euro përmes mashtrimit me pasoja të rënda sipas një marrëveshjeje me CEZ për mbledhjen e borxheve të prapambetura.

Nga ana tjetër, ndaj pasurive të tij Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur konfiskim për shkak se është i dyshuar edhe për pastrim parash.

Top Channel