May takon Hollande: Më shumë kohë për “Brexit”

22/07/2016 00:00

Edhe pse kërkoi negociata të shpejta për “Brexit”, Presidenti francez François Hollande tha të enjten se Britanisë së Madhe i duhet të përgatitet për shkëputjen nga Unioni. Gjatë takimit me kryeministren Theressa May, kreu i Elizesë e bëri të qartë se nuk do të ketë diskutime para nisjes së negociatave, por ai shtoi se e kuptojnë kërkesën e Londrës për më shumë kohë.

“Nuk mund të ketë diskutime para negociatave por mund të ketë përgatitje për këto negociata. Ne e kuptojmë se qeveria e sapokrijuar ka nevojë për kohë, por më lejoni ta përsëris, sa më shpejt, aq më mirë”, deklaroi ai.

May, edhe një herë përsëriti se zbatimi i nenit 50 të traktatit të Lisbonës, që i hap rrugën negociatave zyrtare, nuk do të ndodhë para fundit të vitit. Ajo theksoi se gjatë negociatave, Britania e Madhe do të përpiqet të ruajë lidhje të ngushta ekonomike me Francën.

“Ndërsa Britania e Madhe shkëputet nga BE ne duhet të përcaktojmë se si të ruajmë marrëdhëniet më të mira të mundshme ekonomike mes vendeve tona. Ne po largohemi nga BE, jo nga Europa. Ne nuk po largohemi nga miqësia jonë me Francën”, tha ajo.

Gjatë konferencës për shtyp, Hollande paralajmëroi Britaninë se nuk do të ketë qasje ndaj tregut të përbashkët pa pranuar liritë themelore të bllokut, përfshirë atë të lëvizjes.

Ndërsa May kujtoi se një prej faktorëve kyçë që shtyu britanikët të votojnë për shkëputjen, kishte të bënte me kufizimin e numrit të njerëzve që hyjnë në vend.

Ajo tha se duhet të vendosen kontrolle mbi emigracionin mes Britanisë së Madhe dhe bllokut, por kërkoi një marrëveshje për tregtinë e mallrave dhe shërbimet.

Top Channel