Surpriza e Pep Guardiolës

22/07/2016 00:00

Trajneri i ri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i ka bërë një surprizë njërit prej tifozëve më të rinj të skuadrës, 7-vjeçarit Braydon Bent.

Në një video të publikuar në Youtube, Guardiola është në një taksi, ndërsa makina drejtohet nga njëri prej gazetarëve të “City TV”, Chappy.

Djaloshi pret taksinë, ndërsa nuk e ka idenë se aty ndodhet Guardiola. Menjëherë sapo futet në makinë, pyet gazetarin nëse ishte vërtet Guardiola apo ndonjë sozi e tij.

Dhe pastaj biseda rrjedh natyrshëm. “Tani që të kemi ty do t’i fitojmë të gjitha. Do t’i fitojmë të gjithë trofetë… ku do t’i vendosim të gjitha ato?”, pyet 7-vjeçari, ndërsa Guardiola preferon ta qetësojë: “A je i sigurt? Në rregull, do të provojmë t’i fitojmë”, ia kthen ai.

Nuk mund të mungonte një pyetje për Lionel Messin. “E di që Messi është miku yt. Ndoshta mund t’i bësh një telefonate dhe ta pyesësh nëse dëshiron të na bashkohet te City?”, pyet djaloshi, i cili merr një përgjigje. “Do të ishte e bukur apo jo? Por, është pak si e vështirë”, ia kthen trajneri katalanas.

Braydon Bent e përgëzon trajnerin e skuadrës së tij të zemrës edhe për merkaton, ndërsa Guardiola i thotë se duhet të presë pasi do të vijnë edhe të tjerë.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel