Përplasja PS-LSI; Tonet e ashpra të Metës dhe replikat me Xhafajn

21/07/2016 00:00

Mbledhja e Konferencës së Kryetareve nisi me tension dhe dukej se brenda mazhorancës kishte acarime që në orët  e para të mëngjesit të së enjtes.

Kreu i Parlamentit shkëmbeu replika të pazakonta me kreun e Komisionit të Reformës Fatmir Xhafaj.

Në Konferencën e Kryetarëve, mëngjesin e së enjtes, Ilir Meta dhe Fatmir Xhafaj shkëmbyen replika për shkak të mos mbledhjes së një dite më parë të Komisonit të Reformës në Drejtësi.

Ilir Meta: Zoti Xhafaj, ju lutem kam një pyetje; dje kur u bë Konferenca e Kryetarëve, përse nuk e ke mbledhur Komisionin siç të kam thënë, për të rakorduar çdo gjë për seancën e sotme?

Fatmir Xhafaj: E para njëherë, ule zërin…

Ilir Meta: Jo, nuk e mbaj ulët zërin sepse nuk dua të toleroj situata të tilla.

Fatmir Xhafaj: Kam tre vjet që dëgjoj një parrullë tënden, “me qetësi dhe dashuri”. Dashuria ka ikur, të paktën të rrijë qetësia.

Ndërsa më vonë në parlament Meta foli me tone të forta duke thënë se reforma nuk duhet të miratohet nën shantazhin e telefonatave e mesazheve dhe paralajmëroi se mund të japë dorëheqjen.

Ilir Meta: Nuk kemi nevojë për deputetë patriotikë, por kem nevojë për konsensus patriotik. I kam thirrje edhe Lulzim Bashës, madje për t’i hequr merakun cilitdo edhe Sali Berishës, për të pranuar kompromisin dhe marrëveshjen. Pse është kaq i rëndësishëm konsensusi patriotik. Është i rëndësishëm sepse kjo është një Kushtetutë e re e Shqipërisë. Kjo është një Kushtetutë që nuk duhet të votohet në mënyrë të njëanshme, pavarësisht se do të votohet në çdo lloj mënyre dhe nuk do të mbarojë kjo seancë pa e bërë këtë gjë. Sepse ka të bëjë me Shqipërinë për 30 vitet që vijnë jo për zgjedhjet që vijnë. Të 20 votat e LSI-së do të jenë për Reformën në Drejtësi, këta gjë ta keni të sigurt, por duhet patjetër konsensus. Dhe e vetmja mënyrë për të arritur konsensusin është sipas Venecias. Në qoftë se PD pas sqarimit të këtyre momenteve, nuk duan të votojnë reformën sepse kanë frikë nga reforma, të jeni të sigurt se unë dhe 20 deputetët e LSI-së do ta votojnë Reformën. Unë do të iki nga kryetar Parlamenti, sepse nuk mund të rri në një Parlament që voton në presione, në shantazhe me sms-ra një reformë që duhet ta votojmë me bindje.

Top Channel