Shpresë për drejtësi; Reforma merr 140 vota. Rama: Nis revolucioni

22/07/2016 00:00

Ka marrë fund edhe “telenovela-Reformë në Drejtësi” e cila është finalizuar me një konsensus të plotë duke marrë 140 vota në votimin e orëve të para të mëngjesit të 22 korrikut. Përpjekjet e gjata sidomos negociatat intensive të 24 orëve të fundit, sollën më në fund konsensus mes palëve.

140 votat u bënë bashkë për votimin, edhe pse disa nene morën më pak vota.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në fjalën e tij para deputeteve se miratimi i kësaj reforme është nisja e një revolucioni, që do të nxjerrë tymin e zi të pallatit të padrejtësisë në Shqipëri. Sipas Ramës, fshesa e hekurt do të fshijë gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe politika nuk do te ketë dorë për të ndërhyre si natën ashtu edhe ditën.

“Vota e sotme do të çelë siparin e një revolucioni të shumëpritur në drejtësi. I siguroj të gjithë shqiptarët se gjykatësit e prokurorët e korruptuar do t’i fshijë nga sistemi i drejtësisë fshesa e hekurt e Vetting-ut ku trupat e zbatimit të reformës do të paraseleksiohen dhe do të mbështeten nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Në një luftë të egër, me killerat parelinj të drejtësisë së korruptuar shqiptare dhe me politikën e mbrapshtë e cila nuk do të heqë dorë asnjë ditë apo natë, në përpjekjen e marrë për ta ndalur historinë e re që sapo ka filluar”, deklaroi Rama.

Ajo që ra në sy është se nuk pati diskutim në emër të grupit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërsa gjatë fjalës së kryeministrit Rama, kryetari i Kuvendit Meta u largua nga salla.

E njoftuar për të rinisur në orën 21:00 të së enjtes, seanca plenare nisi rreth 2 orë e 30 minuta vonesë, pasi deputetët demokratë kërkuan kohë të njihen plotësisht me draftin final. Për të ndjekur këtë seancë plenare në llozhat e Kuvendit kanë marrë pjesë edhe ambasadorët e SHBA, BE dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

I pari që e ka marrë fjalën në këtë seancë historike ka qenë kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, i cili pasi ka dhënë një pasqyrim të nevojës për këtë reformë në vend ka falenderuar edhe personazhet e përfshirë në arritjen e këtij drafti.

“Sot ditë e veçantë në historinë e parlamentarizmit. Rezultatet e angazhimit, sot më të prekshme. Së bashku sot, do të miratojmë bazën kushtetuese mbi të cilën do të reformohet sistemi i drejtësisë, për të qenë një drejtësi më e besueshme për shqiptarët dhe që ky sistem do të funksionojë në mënyrë efiçente dhe profesionale. Sistemi i drejtësisë do të shkëputet nga ndikimi politik”, u shpreh Xhafaj nga foltorja e Kuvendit.

Pas tij e ka marrë fjalën kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i cili vlerësoi arritjen e konsensusit për Reformën në Drejtësi.  “Konsensusi rruga e vetme”, theksoi gjatë fjalës së tij kreu i PR, duke shtuar se politika ka qenë fajtore ndër vite për mohimin e një pjesë të të drejtave të qytetarëve -“një pjesë të të drejtave të qytetarëve, ua kemi mohuar ne, politika” u shpreh ai.

Në emër të PDIU-së fjalën e ka marrë Mesila Doda, e cila nga foltorja e Kuvendit i ka pyetur deputetët e pranishëm nëse kanë apo jo frikë që ta votojnë këtë Reformë, duke theksuar se deputetët e PDIU nuk kanë.

“A keni frikë të votoni sot? Ne të PDIU nuk kemi. Në këtë sallë ka edhe dallkaukë, këtu bën hajër ai që ka blerë mandatin.Jemi mësuar me marrëveshjet e natës ku mblidhen 3 koka dhe hanë 3 milionë”, u shpreh më tej deputetja Doda që e vuri theksin tek nevoja për referendum “Ne të PDIU ngulmojmë te referendumi, njerëzit janë zgjedhës e jo dele. Ndërsa ju jeni deputetë dhe jo çobenj.” Në fund të fjalisë së saj ajo kërkoi votat e deputetëve pasi sipas saj, “Vota pro sot është patriotike, është kombëtare”.

Gjatë fjalës së tij nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, deputei i PD, Oerd Bylykbashi vlerëson se falë punës së opozitës u arrit një draft shumë më i mirë se fillestari.

“Sot, ne miratojmë një ndryshim që nuk ndryshon thjesht kushtetutën, por ndoshta do të çojë drejt një republike tjetër. Shpresa është se këto ndryshimet e sotme të na çojnë drejt një Shqipërie, një shteti që të jetë më i mirë. Sot, kjo është shpresë”, u shpreh deputeti Oerd Bylykbashi.

I fundit që e ka marrë fjalën ka qenë kryeministri Rama, i cili ndryshe nga zakonisht ka folur shkurtimisht duke ftuar për herë të fundit deputetët që të votojnë pro reformës.

Top Channel