Komisioni i Posaçëm kalon draftin, pritet miratimi në Kuvend

21/07/2016 00:00

Rifillimi i seancës plenare të paralajmëruar për në orën 21 nuk është bërë ende realitet, edhe pse në Kuvendin e Shqipërisë ndodhen prej disa minutash të gjithë diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë, mes të cilëve edhe ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, sikurse edhe kryeministri, ministrat dhe të gjithë deputetët e tjerë të Parlamentit.

Por duket se mosbesimi i thellë mes palëve në këtë reformë ka bërë që puna të ngecë sërish në Komisionin e posaçëm për Reformën në Drejtësi, aty ku pasi është përkthyer drafti dhe është printuar, është bërë shqyrtimi i imtësishëm i tij për të parë nëse janë reflektuar të gjitha pikat e marrëveshjes së arritur vetëm pak më parë.

Sipas gazetares së Top Channel, Elona Meço, e cila i referohet burimeve jozyrtare, anëtarët demokratë të Komisionit për Reformën në Drejtësi dyshonin se ka disa nene ku nuk janë pasqyruar disa kritere të vendosura më herët, siç është për shembull ndalimi i kandidimit në institucionet e drejtësisë të kandidatëve që kanë shërbyer përpara viteve ’90 në sistemin e drejtësisë.

Pas shumë orë pritjesh është miratuar edhe drafti i ri në komision, e pas këtij hapi, ai do t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë, aty ku pritet me shumë interes miratimi i Reformës në Drejtësi thuajse në unanimitet të plotë nga parlamentarët shqiptarë.

E njoftuar për të riisur në orën 21:00, seanca plenare kur pritet miratimi final i Reformës në Drejtësi ka nisur në orën 23:27. Kjo vonesë prej rreth 2 orë e 27 minuta ka ardhur për shkak të vonesës së deputetëve demokratë, të cilët kanë kërkuar kohë të njihen plotësisht me draftim final.

Top Channel