Kosovë, Bahtiri: Për hapjen e urës mbi Ibër vendosin BE-ja dhe serbët

21/07/2016 00:00

“Nuk është në duart e mia, se po të ishte ura e Ibrit do të ishte e lirë. Por është në duart e Bashkimit Europian, ndaj dhe po presim që ata të vendosin”.

Kështu është shprehur për RTK-në, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, i cili ka shtuar se marrëveshja në Bruksel u arrit, por nuk u lejua implementimi në Kosovë.

“Marrëveshja u arrit në Bruksel, por kur erdhëm në Kosovë dëshiruam ta implementojmë. Mirëpo kjo nuk u lejua nga ana e serbëve”, tha ai.

Ndërsa për vendosjen e përmendores së Car Lazarit mbi urën e Ibrit, ai tha se ishte në dijeni për të dhe planin për ta vendosur mbi lumin Ibër, por ishte ai dhe BE-ja që e anuluan.

“Ka qenë presioni im, që shtatorja të shtyhet ose të largohet. Në këtë drejtim na ndihmoi edhe Bashkimi Europian, e në fund ia arritëm qëllimit”, theksoi ai.

Duke qenë se kufijtë administrativë janë në rregull dhe marrëveshja pritet të implementohet në Kosovë, Bahtiri tha se po presin nga Bashkimi Europian të bisedojë me serbët.

“Ne po presim, sepse vija për kufijtë administrativë nuk do të diskutohet më asnjëherë. Kjo pasi Kosova i ka të përcaktuar kufijtë e saj. Bashkimi Europian do të marrë hapat e saj në këtë drejtim”, tha Bahtiri.

Sa i përket qytetarëve që janë zhvendosur nga pjesa veriore në atë jugore, Bahtiri tha se ky numër shkon në rreth 12 qytetarë të larguar. Mirëpo ai deklaroi gjithashtu se “25 familje janë kthyer në banesat e tyre me proces gjyqësor dhe tani jetojnë në qendër të qytetit”.

Sidoqoftë, Bahtiri bëri të ditur se është duke u punuar shumë për t’i kthyer të gjithë banorët në vendbanimet e tyre të braktisura në veri të vendit.

Top Channel