Kosovë, pjesëtarë të FSK-së stërvitje parashutizmi në Kroaci

21/07/2016 00:00

Një ekip oficerësh dhe ushtarësh të FSK-së, i përbërë prej 6 vetash, kanë kryer për dy javë trajnimin bazik për parashutizëm luftarak në Republikën e Kroacisë, në Akademinë Ushtarake të Zagrebit.

Sipas një komunikate të Ministrisë së FSK-së, në këtë trajnim dyjavor kanë marrë pjesë togeri Ilir Beqiri, tetarët Labinot Kelmendi dhe Faton Rukovci, si dhe ushtarët Franjo Kodraj, Besarta Pacolli dhe Ilir Kajtazi.

“Trajnimi është realizuar në dy faza. Në fazën e parë është mbajtur pjesa teorike për parashutën kryesore MC1-1C dhe atë rezervë T 10R, ndërsa në fazën e dytë është mbajtur pjesa praktike, hedhja me parashute nga helikopteri MI 17. Pjesa praktike e hedhjes me parashutë është realizuar gjatë ditës dhe gjatë natës, me pajisje personale. Të gjitha hedhjet ishin të suksesshme dhe pa probleme. Ushtari më i dalluar ishte Franjo Kodraj, i cili të gjitha tekstet me shkrim arrin t’i realizojë me rezultatin 100%, ndërsa të gjitha kërcimet i ka kryer brenda zonës së gjelbër. Vlen të theksohet se për herë të parë në një trajnim të tillë të pjesëtarëve të FSK-së, ka marrë pjesë edhe ushtarja Besarta Pacolli, e cila ka kryer me sukses si pjesën teorike dhe atë praktike”, thuhet në komunikatë.

Gjatë kryerjes së pjesës praktike, pjesëtarët e FSK-së i ka vizituar edhe zëvendëskomandanti i Komandës se Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë (KFOS) dhe instruktorë të lartë të kësaj njësie, të cilët kanë shprehur fjalë të mira për pjesëtarët e FSK-së.

Në përfundim të kryerjes së këtij trajnimi dyjavor, në bazën kryesore të Komandës së Forcave Speciale kroate në Delnicë është mbajtur ceremonia e certifikimit të pjesëtarëve të FSK-së. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë stafi i lartë i saj, ndërsa në hyrje të objektit të komandës së KFOS është valëvitur edhe flamur i Republikës së Kosovës, krahas atij kroat.

Top Channel