Një gjykatë greke ka dënuar 8 oficerët ushtarakë të Turqisë, të cilët u larguan nga vendi pas grushtit të dështuar të shtetit, me dy muaj burgim me kusht.

Oficerët, të cilët kërkohen nga Turqia për t’i vënë ata përballë drejtësisë vendase, kanë kërkuar azil në Greqi dhe do të mbeten në paraburgim derisa çështjet e tyre mbi azilkërkimin të merren në konsideratë.

Ushtarakët, 3 majorë, 3 kapitenë dhe dy nënkapitenë, u ulën në qytetin kufitar verior të Aleksandroupolis, në Greqi, gjatë së shtunës së kaluar pasi lëshuan një sinjal rreziku. Ata u arrestuan menjëherë dhe u akuzuan për “kalim të paligjshëm të kufirit”, por tashmë kanë kërkuar edhe azil politik.

“Ata besojnë se, në një mënyrë apo tjetrën, atyre u rrezikohet jeta në Turqi”, tha një avokate që përfaqësonte 4 prej ushtarakëve, teksa u shfaqën përpara gjykatës me fytyrat e tyre të mbuluara. “Pavarësisht nëse rikthehet apo jo dënimi me vdekje, ata besojnë se në fund të fundit ata do të vriten”, tha avokatja.

Turqia i ka quajtur ushtarakët “tradhtarë” dhe “elementë terroristë”, ndaj dhe i kanë kërkuar Greqisë ekstradimin e tyre. Megjithatë vendi helen do të marrë në shqyrtim kërkesat e tyre për azil, e këtë do ta bëjë me procedurë të përshpejtuar.

Turqia e hoqi dënimin kapitan në vitin 2004, por Presidenti Tayyip Erdogan ka thënë para turmës së mbështetësve të tij, të cilët kërkonin rikthimin e dënimit me vdekje, se kërkesa të tilla nga populli nuk mund të injorohen dhe do të diskutohen në Parlament.

Ushtarët janë justifikuar se nuk e dinin që po zhvillohej një grusht shteti dhe se ishin duke zbatuar urdhrat prej eprorëve të tyre për të transportuar të plagosurit nga rrugët drejt ambulancave, thonë avokatët e tyre.

Ata vendosën të largoheshin nga vendi me një helikopter “Black Haëk”, pasi ky i fundit u qëllua me armë zjarri nga policia. “Ata ishin në një gjendje emergjence dhe kjo është arsyeja pse ata u detyruan të futeshin në territorin grek”, tha një gjykatës. “Në çdo rast, ata hynë në Greqi në mënyrë zyrtare, pasi u ulën në aeroport, zbritën nga mjeti dhe kërkuan menjëherë azil politik”, shtuan ata.

Top Channel