Gotze kthehet zyrtarisht në shtëpi

21/07/2016 00:00

Pas 3 vjetësh ku mbahen mend disa gola me peshë, shumë dëmtime, disa faqe të para gazetash, mosmarrëveshje me Guardiolën dhe një dashuri që nuk lindi asnjëherë, Mario Gotze ka lënë Bayern Munchen për tu rikthyer në Dortmund.

Klubi nga Ruhr e shiti në vitin 2013 sulmuesin gjerman për 37 milionë euro dhe e rikthen në skuadër për 26 milionë, duke sigluar edhe një kontratë të vlefshme deri në 2020.

Gotze që me Bayern kishte një kontratë deri në 2017, luajti 114 ndeshje në këto tre sezone, ku shënoi 36 gola, fitoi 3 kampionate, 2 kupa të Gjermanisë, një Supërkupë UEFA dhe një botëror për klube, por kurrë nuk gjeti një hapësirë fikse në formacion.

Dhe tani në moshën 24 vjeçare, me një pjekuri më të madhe sportive, kthehet te klubi që e nxorri në vitrinën e futbollit botëror, si një prej talenteve më të mëdhenj të 10 vjeçarit të ardhshëm.

Fantazisti gjerman që do të riveshë fanelën me numër 10, pas lamtumirës së Mkhitaryan, nuk e fshehu aspak gëzimin e tij: “Nuk kam pse të fshihem, kur u largova 3 vjet më parë mora një vendim të vetëdijshëm.

Por kur kanë kaluar tre vjet, e shikoj me një tjetër sy largimin dhe e kuptoj pse shumë tifozë nuk arrinin të më kuptonin ateherë. Tani jam kthyer në shtëpi dhe dua të fitoj zemrat e të gjithëve duke luajtur mirë”.

Top Channel