Qyteti i “një mbi një dritareve” edhe këtë vit do të mirëpresë në edicionin e tretë të tij Festivalin “Berati Multikulturor”, i cili do të mbahet nga data 21-23 korrik në qytetin e Unesco-s.

“Është kthyer në një traditë tashmë festivali kulturo. Vjen nga një organizatë të rinjsh dhe është shumë mirë kur “sulmues” janë të rinjtë. Ministria e Kulturës e mbështet për të tretin vit radhazi. Janë forcat kulturore të vendit që delokalizohen, dalin nga skenat e kryeqytetit për të shkuar në skenat e qyteteve muze”, thotë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Festivali do të ngjisë në skenë për tre netë artistë të njohur të skenës së muzikës shqiptare.

“Jam e lumtur që më është bërë kjo ftesë dhe që do të jem edhe unë pjesë  kësaj kartoline të qytetit të Beratit. Edhe ne me mënyrën tonë, me muzikë, kontribuojmë pak në promovimin e kulturës së vendit tonë”, deklaron këngëtarja Marsela Çibukaj.
 
“Keni dy diamante që i keni të trashëguara dhe jeni me fat që janë në Unesco. U sugjeroj turisteve nga Kosova që Jugun do ta kenë gjithmonë aty, ndaj u sugjeroj të ndryshojnë itinerarin, të shkojnë në Berat, pastaj në Gjirokastër e më pas në bregdet, sepse janë dy qytete përrallore”, shprehet  këngëtari Alban Nimani.

Pjesë e “Beratit Multikulturor” do të jenë dhe Panairi i Librit dhe Agrobiznesit, si edhe ekspozita dhe forume për promovimin e trashëgimisë kulturore.

Top Channel