Propozimi i ri kthen palët në negociata; Fleckenstein: Këshilla ime, votojeni

21/07/2016 00:00

Propozimi i ri i bërë nga ambasadorëd Donald Lu dhe Romana Vlahutin ka kthyer palët në tryezën e negociatave për reformën në drejtësi.

Fillimisht kanë qenë deputetët e Partisë Demokratike që kanë shprehur konsensusin e tyre për këtë propozim në mbledhjen e grupit, edhe pse për mediat nuk është bërë publik asnjë detaj.

Grupi parlamentar demokrat u mblodh pas një takimi që më herët kryetari Basha zhvilloi me ambasadorët e SHBA dhe BE, të cilët e njohën me variantin e fundit.

Vetë diplomatët ia kanë prezantuar më pas projektin përfaqësuesve të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafaj.

Gatishmëria e shprehur nga këta të fundit ka bërë që negociatorët të kthehen në Kryesinë e Kuvendit për diskutime, ku i pranishëm rezulton të jetë edhe kryetari i PD, Lulzim Basha.

Ndërkohë, më herët burime të rezervuara thanë për Top Channel se ish-kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit kishte deklaruar se, “Edi Rama nuk do reformë, por zgjedhje të parakohshme”.

Lidhur me propozimin e fundit ka reaguar, për të disatën herë, raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, i cili prej disa ditësh po ndjek me vëmendje zhvillimet në vendin tonë. “Tashmë propozimi i fundit është në tryezë. Këshilla ime, jepini fund diskutimeve dhe votojeni”, ka shkruar Fleckenstein në Twitter. 

Top Channel