Tjetër deklaratë polemizuese nga Trump: Do të ndryshoj NATO-n

21/07/2016 00:00

Vetëm pak pas zyrtarizmit si i nominuari republikan në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Donald Trump vjen me një tjetër deklaratë polemizuese.

“Nëse zgjidhem në krye të Shtëpisë së Bardhë, mund të heq dorë nga garancia e mbrojtjes së vendeve të tjera anëtare të NATO-s”, tha ai per “New York Times”.

“Shtetet e Bashkuara do t’i vijnë në ndihmë vetëm atyre aleatëve që i kanë përmbushur detyrimet ndaj nesh. Të gjithë anëtarët e aleancës ushtarake të Atlantikut Verior kanë nënshkruar një traktat, i cili i parashikon ndihmën për secilin pjesëtar nëse ai bie pre e një sulmi”, sqaroi miliarderi nju jorkez.

Trump, që përgatitet të mbajë një fjalim përpara konventës, republikane në Cleveland të Ohios, tha paraprakisht se njerëzve të mbledhur në atë sallë do t’iu parashtroje një strategji të politikës së jashtme që synon uljen e shpenzimeve dhe të përfshirjes se shteteve të bashkuara jashtë kufijve.

Deklaratën e braktisjes së mbrojtjes së hershme amerikane për anëtarët e NATO-s, ai e bëri kur u pyet mbi një agresion të mundshëm rus ndaj shteteve baltike.

Kandidati republikan, një figurë përçarëse edhe brenda vetë partisë së tij, tha se Trumpi President nuk do t’u bënte aleatëve presione mbi masat ndaj opozitës apo lirive qytetare. “Amerika duhet të zgjidhë njëherë problemet e veta përpara se t’u japë mend të tjerëve”, ishin fjalët e tij.

“Shikoni çfarë po i ndodh këtij vendi! Si mund t’u japim ne leksione të tjerëve kur këtu vriten policët me gjakftohtësi?!”, tha ai.

I pyetur për grushtin e dështuar të shtetit në Turqi, manjati lavdëroi Presidentin turk Rexhep Tajip Erdoan, i cili është kritikuar ashpër nga shumë liderë perëndimorë për lidershipin e tij gjithmonë e më autoritarist.

“Për mua ka meritën që arriti t’i vinte shpejt gjërat në vije. Disa njerëz thonë se puçin e stisi vetë, por unë këtë nuk e besoj”, u shpreh ai.

Top Channel