Siguria te L’equipe, Pogba është futbollist i Man.United

21/07/2016 00:00

Në Francë të gjithë janë të sigurt, Pol Pogba është futbollist i Manchester United. Sipas të përditshmes sportive L’Equipe, tashmë është arritur marrëveshja me Juventusin për rikthimin e mesfushorit francez në “Old Trafford”.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, “Djajtë e Kuq” kanë pranuar të paguajnë për kartonin e futbollistit shifrën prej 120 milionë euro që e bën atë si lojtarin më të shtrenjtë në historinë e futbollit duke thyer kështu rekordin e blerjes së Garet Bale nga Reali i Madridit.

Juventus bëri gjithçka mundi për të  mbajtur Pogba në Torino, por nuk ia doli dot. Shifra e ofruar nga United ishte e parefuzueshme, ndërkohë që në këtë pikë ndikoi edhe dëshira e 23-vjeçarit për t’u transferuar te Manchester për t’u vënë nën urdhrat e Mourinho-s.

Ndërkaq, në media të tjera flitet edhe për kontratën që Pogba do të nënshkruajë me Manchester United, që ka një afat 5 vjeçar me një pagë prej 250 mijë euro në javë dhe të mendosh që në vitin 2012, Pogba u largua nga Djajtë e Kuq me parametra zero.

Top Channel