Formula 1, Alonso pranë largimit

21/07/2016 00:00

Fernando Alonso po përjeton një tjetër vit zhgënjyes dhe së fundmi ankohet për atë që ai e quan një drejtim të paqartë në të cilin po shkon Formula 1.

Alonso shprehet madje se rregullat e reja po bëjnë që ai të marrë në konsideratë të ardhmen e tij në këtë sport. Piloti i McLaren pretendon se ka shumë aspekte të Formulës Një aktuale që ai nuk i pëlqen, përfshirë këtu motorrët hibrid V6 dhe gomat Pirelli.

“ Këto ditë Formula1 po përjeton shumë ulje-ngritje dhe për shumë gjëra drejtimi ku po shkon është i paqartë. Nuk jam aspak i lumtur me disa gjëra, ne kurrë nuk mund ti japim makinave deri në limit, ne kurrë nuk mund të sulmojmë sa duam pasi gomat nuk të lejojnë. Nëse ecën shumë shpejt, ato nxehen dhe humbasin stabilitetin, nëse shtyn motorrin shumë, do të kalosh parametrat e konsumit. Që të jesh i shpejtë në Formulën e sotme, të duhet të mos sulmosh shumë , ky është sekreti, por kjo shkon kundër instiktit të një piloti”.

Alonso shtoi se për këto arsye pilotët kënaqeshin më tepër me makinat e dikurshme, ndërkohë që sugjeroi ndryshimin e rregullave në 2017. Nëse dicka e tillë nuk ndodh, me një vit të mbetur në kontratën e tij me Mc Laren, Alonso bëri të ditur se mund të braktisë Formula Një për të garuar në 24 orët e Le Mans, ose Indianapolis 500.

“Shumë gjëra do të ndryshojnë vitin tjetër, le të shpresojmë se lënaqësia e pilotimit të makinës do të rikthehet në një faktor madhor. Nëse shikoj se Formula 1 shkon në një tjetër drejtim në krahasim me atë që njoh unë dhe me të cilin jam dashuruar në të kaluarën, në atë pikë do të merrja në konsideratë alternativat e tjera dhe do ta lijë Formula 1.  Le Mans do të ishte opsioni më pranë stilit tim, por edhe garat e Indianapolis janë shumë tërheqëse”.

Top Channel