Intervista e ambasadorit turk në Athinë mbrëmjen e së martës në lidhje me dorëzimin apo jo të 8 ushtarakëve turq që janë larguar nga Turqia dhe janë ulur me një helikopter në Aleksandropuli të Greqisë është cilësuar si “kërcënuese” nga një pjesë e mirë e mediave greke.

Menjëherë ambasada turke ka dhënë një deklaratë të re për shtyp ku ka theksuar se janë keqinterpretuar fjalët e diplomatit turk. “Ata janë tradhtarë dhe kërkojmë ekstradimin e tyre”, kishte thënë më herët  Kerim Uras, duke theksuar se nëse Athina nuk i kthente pas, kjo nuk do të ndihmonte në marrëdhëniet dypalëshe.

“Nëse përfundohet shpejt dhe në një mënyrë pozitive, nëse ata kthehen sa më shpejt të jetë e mundur, kjo me të vërtetë mund të kthehet në një gjë shumë pozitive në marrëdhëniet tona dypalëshe. Në rast të kundërt, unë do të jem mjaft i shqetësuar si ambasador dhe duhet të them se kjo nuk do të ndihmojë në gjithçka dhe mund të shkaktojë ndjenja negative në opinionin publik”, deklaroi ambasadori Uras.

Çështja e 8 ushtarakëve që pritet të dalin në gjyq vlerësohet nga mediat greke se mund të shkaktojë përkeqësim dhe cënim të marrëdhënieve dypalëshe që kishin filluar të ngroheshin disi në vitet e fundit.

Mund të ketë pretendime të reja për rezervat e hidrokarbureve në detin Egje, për kufijtë detarë dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike ende të pazgjidhur, për çështjen e minoritetit mysliman në Trake, për të cilin pala turke ka të tjera pretendime, por edhe për valën e refugjatëve që, sipas ministrit të Emigracionit Janis Muzalas, mund të rritet pas zhvillimeve të fundit në vendin fqinj.

Top Channel