Marrëveshja për reformën, kreret e PPE vlerësojnë rolin e Bashës

20/07/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati një bisedë telefonike me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok, nga i cili mori përgëzime për arritjen e marrëveshjes për reformën në drejtësi.

Sipas një njoftimi për shtyp të PD, Brok e cilësoi sukses të jashtzakonshëm të Partisë Demokratike dhe të zotit Basha mbylljen me sukses të negociatave.

Ai çmoi lartë lidershipin e treguar nga kryetari i opozitës në arritjen e kësaj reforme, që, siç tha, do të kontribuojë në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.

Nga ana e tij, Basha e falenderoi zotin Brok për ndihmën e tij “të jashtzakonshme” gjatë gjithë procesit e në veçanti në finalizimin e tij.

Basha ndau të njëjtin vlerësim me interlokutorin e tij se, një drejtësi me standarde europiane është një hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit të vendit.

Daul vlerëson angazhimin e Bashës: Roli i tij, vendimtar për suksesin

Edhe presidenti i Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul doli me një deklaratë pas arritjes së marrëveshjes për reformën në drejtësi.

“Ne kemi ndjekur nga afër diskutimet dhe negociatat për draftin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Kjo reformë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj”, ka thënë Daul, i cili ka vlerësuar rolin e kryetarit të PD, Basha.

“Ndërsa shpesh bisedimet kanë qenë të vështira dhe komplekse, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha negocoi me sukses dhe kontribuoi për një rezultat të frytshëm. Ai ka demonstruar lidership për partinë dhe vendin e tij, duke luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e një marrëveshje që i shërben interesave të të gjithë popullit shqiptar”, ka thënë Daul.

Ai ka vlerësuar se, “një sistem i pavarur dhe transparent i drejtësisë mbetet një nga elementet kryesore të nevojshme që një vend demokratik të ketë sukses dhe të rritet”.

“Shqiptarët meritojnë të kenë një sistem drejtësie ku asnjë qytetar nuk është mbi ligjin dhe ku korrupsioni të mos lulëzojë. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar dhe për të mbështetur partnerët tanë shqiptarë në krijimin e një sistemi të tillë drejtësie”, ka vijuar Daul.

Ai ka shtuar se, “vota e nesërme për paketën e reformës në drejtësi do të jetë një hap për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe baza për një të ardhme më të mirë për popullin shqiptar”.

Top Channel