Forcat e marinës dhe ato të policisë në ishujt grekë të Egjeut lindor janë vënë në gjendje gatishmëria, pas informacioneve se dy motoskafë turq janë në lëvizje në drejtim të tyre.

Nga informacionet paraprake dyshohet se në bordin e varkave motorike mund të ketë ushtarakë të konsideruar puçistë dhe që po përpiqen t’i shpëtojnë valës hakmarrëse të presidentit Erdogan.

Sipas kanalit televiziv helen ERT, në Athinë është zhvilluar një mbledhje urgjente e ministrave të Mbrojtjes, Rendit dhe Marinës Detare.

Edhe pse autoritetet deklarojnë se për momentin nuk ka asnjë shqetësim, drejt zonës janë dërguar dy anije ushtarake dhe dy helikopterë, për të patur nën kontroll situatën.

Media të tjera greke raportojnë ndërkohë se ushtarët turq ndodhen në Datka, përballë ishullit helen Simi, ku ndodhet dhe hoteli ku po qëndronte presidenti Erdogan para se të sulmohej natën e grushtit të shtetit. Ka gjasa që në motoskafë të ndodhen pikërisht autorët e sulmit.

Gazeta turke “Miliet” njofton ndërkohë se në zonë prej disa ditësh operon edhe një anije ushtarake turke, për të kapur “tradhtarët”. 

Top Channel