Reforma, Basha bisedon në telefon me Kancelaren Merkel

20/07/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bisedë telefonike me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Kreu i PD-së e informoi kancelaren për arritjen e konsensusit për draftin kushtetues të reformës në drejtësi.

Merkel e falënderoi Bashën për kontributin e tij dhe lidershipin e treguar në procesin e arritjes së konsensusit si një kontribut madhor për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kancelarja gjermane shprehu bindjen se zbatimi me sukses i reformës në drejtësi do të jetë një ogur i mbarë për integrimin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe e siguroi Bashë për mbështetjën e saj të plotë dhe të gjithanshme.

Kreu i PD-së shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme të Kancelares Merkel dhe Gjermanisë ndaj Shqipërisë, në sfidat e rrugëtimit të saj europian dhe në procesin e reformës në drejtësi dhe e garantoi atë se Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë promotore e të gjitha proceseve reformuese duke u udhëhequr nga parimet dhe vlerat europiane.

“Beteja e Partisë Demokratike në procesin e reformës në drejtësi ka qenë prej fillimit e deri në kurorëzimin e saj me sukses një betejë për standardet dhe parimet europiane dhe perëndimore të demokracisë, shtetit ligjor dhe për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, theksoi Basha.

“Në këtë kuadër sfida më e madhe që Shqipëria ka përpara janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, vijoi Basha.

Kancelarja Merkel e siguroi kreun e opozitës shqiptare për angazhimin dhe ndihmën e saj dhe të Gjermanisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Top Channel