Rama: Fitore historike e shqiptarëve, vijat e kuqe mbetën vija të kuqe

20/07/2016 00:00

Në një deklaratë për shtyp të pak minutave më parë, kryeministri Rama përshëndeti arritjen e një marrëveshjeje për miratimin e reformës në drejtësi ditën e nesërme në Kuvendin e Shqipërisë, por këmbënguli të theksonte se vijat e kuqe të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, ishin dhe mbetën vija të kuqe deri në momentin e fundit.

Rama theksoi se, ndryshe nga çfarë reklamoi kreu i opozitës Basha si një fitore e tyre për reformën në drejtësi, kjo marrëveshje përbën fitore historike për të gjithë qytetarët shqiptarë. “Tashmë i hapet rruga revolucionit në sistemin e drejtësisë”, u shpreh Rama.

Ja deklarata e plotë:

“Besoj se është një moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët, qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi, të cilët tanimë e kanë marrë lajmin se PD i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekurt të partnerëve tanë strategjikë, që bashkë me shqiptarët të çojmë përpara një reformë historike, që i hap rrugë revolucionit në sistemin e drejtësisë për përmbysjen përfundimtare të kastës së të korruptuarve dhe të inkriminuarve që mbajnë peng drejtësinë në këtë vend.

Është kënaqësi të ndaj me të gjithë ju tekstin e mesazhit që unë, kryetari i Kuvendit, kryetari i opozitës kemi marrë nga Bashkimi Europian nëpërmjet komisionerit Hahn.

“I dashur kryeministër, kryetar i Kuvendit, kryetar i PD-së. Në vijim të bisedave telefonike me të tre ju, dje dhe sot, do të doja të përsërisja pikat e mëposhtme të të quajturit propozim hibrid, të cilat i keni në tavolinë. Këto pika janë vijat e kuqe për komunitetin ndërkombëtar sikundër e kemi nënvizuar në vijimësi përgjatë gjithë procesit. E para roli i operacionit ndërkombëtar të monitorimit, që duhet të ketë një bazë të ligjshme solide brenda Kushtetutës së Shqipërisë. E dyta, unë rikonfirmoj se, siç e kemi bërë të qartë në të gjitha diskutimet, ONM-ja do të japë rekomandime të cilat nuk janë ligjërisht detyruese. Në çdo rast, këto rekomandime do të përmbajnë për çdo qëndrim të mbajtur, një arsyetim shpjegues bazuar mbi kriteret e përcaktuara nga legjislacioni. Unë besoj që mund të vijojmë më tutje mbi këtë bazë. Siç diskutuam, ju lutem konfirmojeni këtë duke i’u përgjigjur shpejt këtij mesazhi, në mënyrë që votimi në Kuvend të bëhet nesër”.

Kjo do të thotë se vijat e kuqe kanë qenë aty dhe të palëvizura për votimin e Kuvendit të Shqipërisë. Falë këtyre vijave të kuqe, kjo reformë ka garantuar vijën mbrojtëse nga çdo përpjekje për të rrënuar sistemin e drejtësisë nga korrupsioni me mjete politike e financiare. Dua të jap përgjigje edhe atyre që patën një moment shqetësimi përmes mesazheve, lidhur me shpalljen e fitores nga ana e kryetarit të PD. E para jam i gëzuar që PD u bë pjesë e kësaj fitoreje të madhe për Shqipërinë e shqiptarët. E dyta, jam i gëzuar që përpjekja delirante për t’i shpallur luftë SHBA-BE-së rezultoi një flluskë sapuni. E treta, dua të ndaj me ju draftin e reformës kushtetuese dhe në këtë draft nuk lëviz absolutisht asgjë përsa i përket dy çështjeve që e mbajtën peng këtë proces deri në këtë orë të fundit: pranisë së ndërkombëtarëve dhe rolit të operacionit ndërkombëtar të monitorimit. Për të dytën po lehtësoj përkthimin e asaj që dëgjuam më parë nga kryetari i PD-së, duke lexuar këtë draft të anatemuar deri dje si komplot ndaj Republikës së Shqipërisë.

Sot të gjithë duhet të ndihemi të lehtësuar jo vetëm për faktin që reforma historike do të kalojë nesër me konsensus, për faktin që sidoqoftë në Shqipëri nuk mundi të formësojë asnjë grupim që mund ta damkoste vendin tonë me një njollë të pashlyeshme. Duke i falënderuar të gjithë për kontributin e vazhdueshëm, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë popullin shqiptar, presioni i të cilit është ndjerë në të gjitha poret e elitës politike shqiptare, më vjen shumë mirë për këtë fitore. Vijat e kuqe mbeten thellësisht të kuqe”.

Top Channel