Anceloti: Levandovski? S’jemi çmendur të shesim sulmuesin më të mirë në botë

20/07/2016 00:00

Karlo Anceloti nuk ka ndërmend të lejojë largimin e Robert Levandovskit nga Bajerni i Mynihut. Sulmuesi polak prej kohësh po flitet për një largim të mundshëm te Reali i Madridit për t’u bashkuar me Ronaldon, Bejl dhe Benzemanë, por Anceloti deklaroi se Levandovski do të qëndrojë në Mynih.

“Reali i Madridit ka në përbërje shumë futbollistë fantastikë si Benzema, Ronaldo dhe Bejl -tha Anceloti në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild”- kjo skuadër nuk e ka aspak nevojën e Levandovskit. Por edhe sikur të ndodhë kjo, Bajerni nuk ka ndërmend ta largojë atë. Nuk ka asnjë arsye se përse duhet të shesë një prej sulmuesve më të mirë në botë. Nuk do ta shkëmbeja Levandovskin me asnjë tjetër”.

Në javët e kaluara, Bajerni i Mynihut siguroi shërbimin e Mats Humels dhe një prej talenteve më të spikatur, Renato Sançes për të cilin trajnerin italian deklaroi se ai do të përshtatet shumë shpejt me kampionët e Gjermanisë.

“Renato është një nga lojtarët që më kanë rënë më shumë në sy -vijoi Anceloti-klubi bëri një punë shumë të mirë duke nënshkruar me të. Shumë klube të rëndësishëm europianë e kërkonin atë, por Bajerni u tregua më i shpejtë në këtë pikë. Sançes është lojtar fantastik dhe do të jetë një element kyç në Bajernin e së ardhmes”.

Top Channel